ANALFABETIZMI


ANALFABETIZMI
✤ Dukuri e rëndë shoqërore e kulturore në vendet me regjime shtypëse e të prapambetura, kur një pjesë e popullsisë nuk di shkrim e lexim. Në regjimin feudoborgjez të A.Zogut 90% e popullsisë në Shqipëri ishte analfabete, vetëm 25% e fëmijve ndiqnin shkollën fillore, arsimi i mesëm ishte i kufizuar dhe mungonte krejt arsimi i lartë. Lufta kundër A. u bë një nga pjesët përbërëse të programit të PKSH për çlirimin kombëtar e shoqëror, për ngritjen e ndërgjegjes së masave popullore dhe përparimin ekonomik e kulturor. Gjatë Luftës ANÇ nisi lufta për zhdukjen e A. në radhët e çetave partizane dhe në zonat e çliruara. Menjëherë pas Çlirimit ajo u shtrua si njëra nga detyrat kryesore të shtetit të ri. Zgjidhja e saj u bë në rrugë revolucionare, duke i dhënë përparësi në kuadrin e revolucionit ideologjik e kulturor, e lidhur me demokratizimin e sistemit arsimor dhe me pjesëmarrjen e gjerë jo vetëm të arsimtarëve, por edhe të të rinjve e të rejave që drejtuan kurse dhe të fshatarëve e qytetarëve që bënë vend në shtëpitë e tyre për të zhvilluar mësime. Ajo u bë me parullat luftarake: «Asnjë analfabet në Shqipërinë e re!» dhe «Sa më shumë bukë, sa më shumë kulturë për popullin!»

Si aksion i madh politik e kulturor, lufta kundër A. kaloi dy etapa kryesore. Në etapën I (1945-1949) mbështetej kryesisht në nismën vullnetare të masave punonjëse dhe të organizatave të masave. Shembull i shquar u bë veprimtaria e mësuesit Ndrec Ndue Gjoka (shih) Mësues i Popullit. Në etapën II (1949-1955), për ta përfunduar në afate sa më të shkurtra, aksioni mori edhe karakter të plotë shtetëror. Që më 1945 pranë Ministrisë së Arsimit u krijua një drejtori e veçantë. U çelën kudo kurse, u siguruan lokalet e librat, u morën masa për përgatitjen e kualifikimin e shpejtë të kuadrit mësimor. Për punonjësit që merrnin pjesë në kurset kundër analfabeftizmit, u krijuan kushte lehtësuese. Fushata e luftës kundër A. u zhvillua me një punë të madhe politike edukuese për të bindur analfabetët për nevojën e të mësuarit, por u shoqërua edhe me luftën kundër armiqve të klasës, të cilët shkuan deri në veprime kriminale, siç qe vrasja e Marta Tarazh.it dhe Prenda Tarazhit (shih). Reforma arsimore (1946), vendimi i Qeverisë i shkurtit 1947 mbi detyrimin e shtetasve meshkuj deri 50 vjeç e femra 40 vjeç për të mësuar shkrim e këndim, Konferenca kombëtare për këtë problem (tetor 1949), masat që u morën për zgjerimin e masivizimin e mëtejshëm të arsimit, benë të mundur që brenda një periudhe gati 10-vjeçare (1944-1955) A. të zhdukej njëherë e përgjithmonë. Kjo ishte një fitore e madhe e politikës së PPSH në këtë fushë dhe një ngjarje e shënuar në historinë e arsimit e të shkollës shqiptare. (S.Te.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Analfabetizmi


[cite]