Politika e Fuqive të Mëdha dhe e shteteve ballkanike ndaj Shqipërisë
Përveç shtypjes së gjithanshme osmane, vështirësi jo të pakta iu krijuan Lëvizjes Kombëtare Shqiptare edhe nga politika që ndoqën Fuqitë e Mëdha pas Kongresit të Berlinit, si edhe nga qëndrimi që mbajtën shtetet fqinje ballkanike ndaj çështjes shqiptare.
Pas zgjidhjes së Krizës Lindore të viteve 70, në Evropë u vendos një farë stabiliteti politik i përkohshëm. Për shkak të interesave të tyre, Fuqitë e Mëdha ishin të prirura të ruanin për një farë kohe status quo-në e Perandorisë Osmane dhe hartën politike të Ballkanit, që u vendos prej tyre në Kongresin e Berlinit.
Dy nga Shtetet e Mëdha, Anglia e Franca, e përkrahën, ashtu si më parë, ekzistencën e Perandorisë Osmane në Ballkan për të ruajtur pozitat e tyre të privilegjuara, që i kishin siguruar prej kohësh brenda territoreve të saj dhe për të penguar daljen e Rusisë në ngushticat e Bosforit e të Dardaneleve, si edhe të Austro-Hungarisë në Selanik. Rusia e Austro-Hungaria, nga ana e tyre, nuk e shikonin të mundshëm realizimin e synimeve të tyre për të mbizotëruar në këtë rajon pa u përgatitur politikisht e ushtarakisht jo vetëm kundër njëra-tjetrës, por edhe kundër fuqive të tjera të interesuara në Çështjen Lindore. Prandaj, si Peterburgu, ashtu edhe Vjena, në pritje të një kohe më të përshtatshme, nuk kishin ndër mend të cenonin hartën e Gadishullit Ballkanik. Edhe Italia, duke qenë e pazonja për të shmangur kalimin e Ballkanit dhe në mënyrë të veçantë të bregdetit shqiptar të Adriatikut në duart e Austro-Hungarisë rivale, parapëlqente të ruhej sundimi osman në këtë zonë. Në këtë periudhë Gjermania po rritej me shpejtësi si një fuqi e madhe dhe po ushtronte presion të fuqishëm. Kancelari gjerman Bismarku kërkonte të pengonte një koalicion antigjerman ndërmjet Francës e Rusisë së pakënaqur nga vendimet e Kongresit të Berlinit, prandaj përpiqej të mbante në anën e vet, krahas Austro-Hungarisë, edhe dy rivalet e Vjenës, Peterburgun e Romën. Meqenëse fusha ku ndesheshin interesat e kundërt austro-rusë dhe austro-italianë ishte kryesisht trashëgimi osman në Ballkan, “zbutja” e këtyre kontradiktave shihej vetëm nëpërmjet ruajtjes së status quo-së në këtë zonë. Ky qëndrim u sanksionua edhe në përtëritjen e “Aleancës së tre perandorëve” më 18 qershor 1881 ndërmjet sovranëve të Gjermanisë, të Rusisë e të Austro-Hungarisë.
Por stabiliteti politik që u vendos në Evropë ishte i përkohshëm. Secila fuqi e madhe përpiqej ta shfrytëzonte këtë periudhë “qetësie” për t’u përgatitur politikisht e ushtarakisht për arritjen e synimeve të veta në rastin e një krize të re politike. Në fushën diplomatike fuqitë evropiane po vepronin me ngulm për krijimin e aleancave e të blloqeve politiko-ushtarake. Më 20 maj 1882, ndërmjet Gjermanisë, Austro-Hungarisë e Italisë u nënshkrua aleanca e njohur në histori me emrin Lidhja Tripalëshe; më 1894 Rusia u afrua me Francën dhe lidhi me të Aleancën Dypalëshe. Këto shënuan ndarjen e botës në dy blloqe imperialiste.
Kështu, për shkak të raportit të forcave në arenën ndërkombëtare dhe të kontradiktave që kishin midis tyre, Fuqitë e Mëdha përkrahnin ekzistencën e Perandorisë Osmane në Gadishullin Ballkanik e si rrjedhim edhe sundimin mesjetar osman në Ballkan e në Shqipëri; në këtë mënyrë frenonin luftërat çlirimtare të popujve që ende vuanin nën robërinë osmane. Në këto rrethana, asnjë nga Fuqitë e Mëdha në atë kohë nuk kishte interes të përkrahte idenë e krijimit të një shteti shqiptar autonom ose të pavarur. Ato jo vetëm nuk e shikonin me sy të mirë lëvizjen çlirimtare shqiptare, por ishin të gatshme ta ndihmonin Perandorinë Osmane që të shtypte çdo kryengritje të brendshme të armatosur.
Një dëm të madh i shkaktoi luftës së popullit shqiptar për çlirim kombëtar edhe qëndrimi i shteteve fqinje ballkanike, të cilat, siç shkruante gazeta “Shqipëtari” e Bukureshtit e vitit 1888, “nuk u kënaqën me plagët që i bënë (Shqipërisë – shën. i aut.) gati për vdekje (gjatë Krizës së fundit Lindore të vitit 1878), po bëheshin gati ta gllabëronin fare për të forcuar trupin e tyre”.
Shtetet fqinje ballkanike u detyruan ta pranonin politikën e status quo-së që diktuan Fuqitë e Mëdha. Por, duke parashikuar se periudha e stabilitetit mund të merrte fund në një të ardhme të afërt, ato shtuan përpjekjet politiko-ushtarake e propagandistike për të shtënë në dorë zotërimet osmane në Ballkan. Pas ngjarjeve të Lidhjes së Prizrenit, për shtetet fqinje (Serbinë, Greqinë, Malin e Zi e Bullgarinë) ishte bërë edhe më e qartë se në përpjekjet për sendërtimin e pretendimeve të tyre territoriale ndaj trojeve shqiptare, ato do të ndesheshin me qëndresën e shqiptarëve që ishin të vendosur të mbronin tërësinë e atdheut. Prandaj, secila prej tyre u orvat t’i tërhiqte shqiptarët pas vetes dhe forcën e tyre luftarake ta vinte në shërbim të politikës së saj pushtuese.
Këtij qëllimi i shërbenin nxitjet që monarkitë ballkanike u bënë shqiptarëve gjatë gjithë kësaj periudhe për t’i hedhur në kryengritje të parakohshme, që do t’i lidhnin duart Perandorisë Osmane, do të dobësonin forcën ushtarake të shqiptarëve dhe do të lehtësonin plotësimin e planeve të tyre aneksioniste ndaj Shqipërisë.
Nga ana tjetër, fuqitë ballkanike vijonin në mënyrë të ethshme përpjekjet për asimilimin e shqiptarëve me anën e kishës, të shkollës, të propagandës etj. dhe mundoheshin me çdo mjet që në arenën ndërkombëtare të mohonin qenien e kombit shqiptar. Kjo veprimtari i krijoi vështirësi të shumta Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, nxiti grindjen e përçarjen midis popujve të Ballkanit, ndezi konflikte midis vetë shteteve ballkanike, prapa të cilave qëndronin disa fuqi të mëdha, e pengoi dhe e ndërlikoi procesin e çlirimit përfundimtar të Gadishullit Ballkanik. Këtë politikë të monarkive ballkanike e shfrytëzoi edhe Porta e Lartë për të nxitur përçarjen midis popujve të Ballkanit, për të larguar vëmendjen e popullit shqiptar nga kontradikta e tij me sunduesin shekullor osman dhe për ta drejtuar atë vetëm kundër rrezikut të jashtëm. Por as politika përçarëse e Portës së Lartë, as edhe qëndrimi shovinist i shteteve ballkanike nuk i larguan shqiptarët nga lëvizja për çlirimin kombëtar dhe nga kërkesat e tyre të pavarura.
Pas qeverisë osmane ishte Greqia ajo që zhvilloi në këto vite një veprimtari të madhe armiqësore ndaj Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Kjo veprimtari u zhvillua në dy rrugë të ndryshme, të cilat plotësonin njëra-tjetrën. Qeveria e Athinës, e përkrahur fuqimisht nga patrikana dhe nga gjithë rrjeti i dendur i shkollave, i kishave që vareshin nga patrikana dhe i konsullatave greke të vendosura në viset jugore e të mesme të Shqipërisë, si edhe nga grekomanët vendas, e shumëfishoi veprimtarinë e saj për helenizimin e shqiptarëve.
Në Shqipërinë e Jugut ishin çelur mjaft shkolla greke. Për helenizimin e shqiptarëve punonte gjithashtu Patrikana greke e Stambollit, që mbronte me ngulm interesat e borgjezisë shoviniste greke, si edhe klerikët e lartë ortodoksë, që emëroheshin prej saj e që ishin kryesisht të huaj (grekë). Veprimtaria e klerikëve grekë e grekomanë përqendrohej kryesisht në luftën kundër shkollave shqipe. Përdorimi i shqipes në ceremonitë fetare dhe në librat “e shenjta” paraqitej si një veprim antifetar. Mallkimi, shkishërimi, helmimi etj. binin mbi çdo shqiptar ortodoks që guxonte të punonte për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare.
Krahas kësaj veprimtarie që zhvillohej lirisht dhe nën mbrojtjen e ligjeve osmane, veprimtarët grekë e grekomanë, klerikë e laikë, zhvilluan në mënyrë të fshehtë edhe një veprimtari politike në të mirë të Greqisë e gjoja edhe të të krishterëve shqiptarë. Madje ata u përpoqën të shfrytëzonin për këtë qëllim edhe prirjet antifeudale të popullsisë vendase. Duke u kapur pas faktit se në lëvizjen kombëtare ishin përfshirë edhe disa çifligarë dhe për t’i larguar atdhetarët shqiptarë nga kjo lëvizje, grekomanët në fushatën e tyre propagandistike u përpoqën ta paraqitnin në mënyrë krejt të shtrembër përmbajtjen kombëtare të lëvizjes shqiptare, duke e quajtur atë një lëvizje të maskuar të feudalëve myslimanë shqiptarë, me fitoren e së cilës Shqipëria do të shkëputej nga Perandoria Osmane dhe të krishterët ortodoksë do të humbnin mbrojtjen e Patrikanës e do të hynin në një zgjedhë të re më të rëndë.
Nga ana tjetër, qeveritarët e Athinës nuk mund t’i varnin shpresat për arritjen e synimeve të tyre politike ndaj
Shqipërisë vetëm në një grusht elementësh grekomanë vendas, aq më tepër kur në radhët e shqiptarëve po rritej gjithnjë e më shumë lëvizja kombëtare për një shtet shqiptar më vete. Për të shfrytëzuar këtë lëvizje, ata themeluan një varg komitetesh e shoqatash, duke aktivizuar kryesisht arvanitët (arbëreshët) e helenizuar. Të tilla ishin Komiteti politik i Korfuzit, i themeluar më 1883, shoqata kulturore “Vllamët shqiptarë”, e themeluar në Athinë më 1884, Komiteti i fshehtë greko-epiriot i Korfuzit, rikrijuar në fillim të vitit 1885 etj. Agjentët e këtyre komiteteve e shoqërive vepronin deri në Mirditë, në Mat e në Dibër. Këtij qëllimi i shërbenin edhe një varg organesh të shtypit, të cilat, krahas atyre brenda Greqisë, dilnin edhe në Stamboll, në Bukuresht, në Trieste etj.
Gjatë viteve 1883-1884 Komiteti i Korfuzit u përpoq t’i nxiste shqiptarët të rrëmbenin armët kundër Turqisë, duke hedhur përsëri parullën e vjetër për formimin e një shteti të përbashkët greko-shqiptar, nën kurorën e mbretit të Greqisë. Për ta popullarizuar këtë ide u dërguan agjitatorë si në Shqipëri, ashtu edhe në kolonitë shqiptare të mërgimit.
Por këto orvatje nuk patën sukses. Rilindësit demaskuan karakterin antishqiptar të idesë së formimit të një shteti të përbashkët greko-shqiptar, që synonte t’i hidhte shqiptarët në një aventurë kundër Portës së Lartë, për të shtënë në dorë pastaj me lehtësi territoret e tyre. Duke iu përgjigjur disa personaliteteve evropiane, që nuk e kuptonin synimin e vërtetë të propagandës së Athinës, “Fiamuri i Arbërit” (Corigliano Calabro, 1883-1885) shkruante në shkurt 1886: “Disa zotërinj të shquar na qortojnë përse ne e shkëputim fatin e Shqipërisë nga ai i Greqisë, duke shkaktuar kështu dobësimin e të dy vendeve. Ata nuk e kuptojnë se sot ekzistenca jonë e veçuar bën që ne të vazhdojmë të ekzistojmë dhe bashkimi do t’i jepte fund ekzistencës sonë”.
Duke filluar nga viti 1884 qeveria e Athinës, tanimë jo me anë të Komitetit të Korfuzit, por drejtpërdrejt, disa herë me radhë u bëri thirrje shqiptarëve të fillonin kryengritjen kundër Perandorisë Osmane dhe të merrnin pjesë në të ashtuquajturën Federatë të Shteteve Ballkanike, që përpiqej të formonte kryeministri grek Trikupis. Qarqet drejtuese të Athinës e shikonin Federatën si një mjet për të ndarë ndërmjet shteteve ballkanike zotërimet evropiane të Perandorisë Osmane pa e prishur ekuilibrin e forcave në Ballkan. Por kryeministri grek nuk mori asnjë zotim konkret ndaj shqiptarëve.
Rrethet atdhetare shqiptare iu përgjigjën propozimit të Trikupisit me argumentin se Shqipëria nuk mund të fillonte asnjë kryengritje kur askush, madje as vetë kryeministri grek, nuk tregohej përkrahës i shtetit shqiptar. Në atë kohë rilindësit mendonin se shqiptarët mund ta shqyrtonin çështjen e pjesëmarrjes në një federatë ballkanike vetëm pasi të viheshin në kushte të barabarta me popujt e tjerë të Ballkanit dhe pasi të kishin dhe ata shtetin e tyre kombëtar. Duke iu përgjigjur propozimit të Trikupisit, “Fiamuri i Arbërit” shkruante në mars të vitit 1884: “Greqia, Rumania, Serbia, Bullgaria dhe Mali i Zi, të cilat janë zonjat e vetvetes dhe i kanë duart të lira, le të federohen. Edhe Anglia – ose kush të dojë, le t’i përkrahë nëse Turqia ose ndonjë tjetër ato i kundërshton. Dhe atëherë (pasi të formohet federata) Shqipëria do të vendosë vetë pasi të shohë diçka përpara syve të saj. Përndryshe do të kërkojmë të zbulojmë gjarprin e zi që e këshillon (Shqipërinë – shën. i aut.) të ngrejë krye për diçka që nuk ekziston dhe që ta fillojë ajo, e përçarë, pa të holla, pa armë, pa taktikë ushtarake dhe me krahë të pakët, luftën kundër Turqisë që i ka të gjitha këto me shumicë dhe më shumë aleatë që e ndihmojnë”.
Shqiptarët u nxitën për të rrëmbyer armët kundër Stambollit edhe nga Mali i Zi, i cili gjatë këtyre viteve bashkëpunonte për këtë çështje me Greqinë. Ata ishin në dijeni të këtij bashkëpunimi dhe të rolit të dyfishtë qëluante Komiteti i Korfuzit për t’i shërbyer jo vetëm Athinës, por edhe Cetinës.
Te këto përpjekje, që zhvilloheshin pa kundërshtimin e qeverisë së Stambollit, rilindësit shikonin një rrezik serioz për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Në saje të veprimtarisë shekullore të Fanarit në dobi të helenizimit të popullsive të krishtera jogreke të Perandorisë Osmane, në një pjesë të opinionit publik evropian dhe të literaturës politike e shkencore të kohës ishte përhapur pikëpamja e gabuar se ortodoksët shqiptarë ishin grekë. Veç kësaj, pretendimet shoviniste të qarqeve politike të Athinës ndaj trojeve shqiptare vazhdonin të gjenin përkrahje në disa nga kancelaritë e Fuqive të Mëdha.
Për të gjitha këto arsye patriotët shqiptarë shikonin në këto vite te Greqia dhe te aleatja e saj, Patrikana e Stambollit, armiq po aq të rrezikshëm për lëvizjen kombëtare, sa ishte edhe vetë Perandoria Osmane.
Historia shqiptare
Rilindja Kombëtare