LULELAKRA
✤ (B. oleracea var. botrytis L.) është bimë njëvjeçare me origjinë nga pellgu i detit Mesdhe dhe më e përhapura pas lakrës. Mbillet për kokën, që është e ngjeshur, e përbërë nga kërcej të trashur e të etioluar me ngjyrë të bardhë e disa herë në të verdhë. Kultivimi i saj në Shqipëri është përhapur pas Çlirimit, sot ajo rritet kudo. Përdoret e freskët, sallatë, marinadë, gjellë etj. Ka vlera më të larta ushqimore sesa L. Përmban 3-4% sheqerna, 2-2.5% proteina dhe shumë kripëra minerale, vitaminë A etj. L. e gjelbër (B. oleracea var. sabanda D.C,) është një L. me_ koka të blerta të rrudhosura. Ka qëndrueshmëri të lartë ndaj të ftohtit. Tek ne kultivohet në sipërfaqe shumë të kufizuar. L. e Brukselit (B.oleracea L. var. gemifera L.) është bimë dyvjeçare dhe mjaft e përhapur në Evropën Qendrore, me origjinë po nga ky rajon. Formon në sqetullën e çdo gjetheje koka me madhësinë e një arre, të cilat janë dhe pjesët e saj të përdorshme e që kanë vlera të larta ushqimore. Përmbajnë 4-5% proteina, vitamina, kripëra minerale etj. Në vendin tonë kultivohet në sipërfaqe të kufizuar. L. gjethe ose foragjere (B.oleracea var.acephala C.) është bimë që formon masë të madhe gjethore, nuk jep kokë, dhe shërben kryesisht si ushqim për kafshët. Ka forma që kultivohen edhe për njerëzit. Karakteristikat e tjera ‘i ka të ngjashme me L. kokë.
(H.Ç.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Lulelakra
[cite]