ÇOBA Ndoc
(Person i dënuar nga regjimi komunist)

Veprimtar politik, Ministër i Financave (1920), kryetar i bashkisë së Shkodrës (27 gusht 1937-24 qershor 1939), një nga organizatorët e Konferencës së Pezës, botues. Lindi më 1870 në Shkodër, ku përfundoi dhe Kolegjën Saveriane. Studimet e larta për ekonomi i kreu në Venedik. Në vitin 1908 u zgjodh kryetar i klubit «Gjuha Shqipe. Në vitet 1909-1910 u caktua drejtor i përgjithshëm i doganave shqiptare. Mori pjesë në Kuvendin Kombëtar të Vlorës e, më pas, më 1918, në Kongresin e Durrësit. Dy vjet më vonë, më 1920, përfaqësoi Shkodrën në Kongresin e Lushnjës. Në qeverinë që doli nga ky kongres iu ngarkua detyra e Ministrit të Financave. Botoi gazetën «Ora e Maleve». Në vitet 1928-1936 u zgjodh kryetar i asamblesë bashkiake të Shkodrës, kurse nga 27 gushti i vitit 1937 e deri më 24 qershor 1939 kryetar i bashkisë së qytetit. Nuk u pajtua asnjëhere me pushtimin fashist të Shqipërisë, ndaj dhe më 16 shtator të vitit 1942, së bashku me figura të njohura të kohës, si Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi etj., organizoi Konferencën e Pezës, që synonte bashkimin e të gjithë forcave antifashiste. Në nëntor 1942 u internua në Ventotene, në afërsi të Bergamos në Itali. Pas kapitullimit të Italisë u kthye në atdhe, ku mori pjesë aktive ne Lëvizjen e Legalitetit (1943-1945). Me mbarimin e luftës, edhe pse në moshë të thyer, në janar 1945 u arrestua nga komunistët si bashkëpunëtor i gjermanëve dhe pas tre muaj torturash në hetuesi, vdiq në burg në mars të po atij viti. Vladimir Misja, Fatmira Rama, çoba Ndoc, në «Fjalor Enciklopedik Shqiptar», 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2008, f. 399.

Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI I
Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit

[cite]