(Person i dënuar nga regjimi komunist)
Përfaqësues i shoqërisë farmaceutike gjermane «Bayer», kryetar i shoqatës së miqësisë Shqipëri-Kroaci, kryetar i Klubit Mbretnor Shqiptar dhe Konsull Nderi i Austrisë.1 Lindi në Shkodër, më 22 dhjetor të vitit 1905. Që në moshë të vogël, i ati, Mehmet Kokotli Shpuza, e dërgoi për studime në Austri. Pas diplomimit u kthye në Shqipëri dhe hapi në Tiranë, te pallati i Kacelit, një farmaci. Mes viteve 1935- 1938 shërbeu si Konsull Nderi i Austrisë. Në vitin 1939, si nacionalist legalist, mori pjesë në demonstratat antifashiste, ndaj dhe u internua familjarisht në Leno të Breshias në Itali. Pas dy vitesh i kthyen në Shqipëri. Më 13 shtator 1943, pesë ditë pas kapitullimit të Italisë, kur trupat gjermane po i afroheshin Tiranës dhe Durrësit, së bashku me Xhaferr Devën vajtën në Durrës dhe morën pjesë në hapjen e burgut të Porto-Romanos, duke liruar dhe marrë me vete Rexhep Mitrovicën dhe Bedri Pejanin, vjehrrin e Asimit. Në vitet 1944-1946, sipas këshillave të Sejfulla Malëshovës [shih], dr. Ymer Dishnicës [shih] etj., u fsheh në shtëpinë e Hajdar Rusit në Shkodër, sa të kalonte furtuna e parë. U arrestua në fillim të vitit 1947 dhe u pushkatua më 8 qershor të po atij viti. Petro Marko, Intervistë me vetveten (Retë dhe gurët), Tiranë, 2000, II, f. 469-470; Kurthet e Hoxhës për arrestimin e Asim Abdurrahmanit, njeriu që i pari solli ilaçe cilësore në Shkodër, në «Metropol», 10 qershor 2012.
Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI I
● Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit