(Person i dënuar nga regjimi komunist)
Ushtarak. Lindi më 15 korrik të vitit 1910, në fshatin Fushë-Alie të Peshkopisë. Mbaroi «Mejtepin» në Kalis tek sheh Rrema. Pastaj ndoqi shkollën konviktore 6 vjeçare «Internat Dibra» në Kastriot, të cilën e mbaroi në vitin 1929. Më 1933 kreu Shkollën Mbretnore Ushtarake, Dega Fonderi- Artileri, në Tiranë. Fill pas mbarimit të shkollës, mori gradën nëntoger artilerie. Por pikërisht në këtë kohë, më 8 tetor të vitit 1933 vrau shokun e tij të shkollës, Mehmet Murat Kaloshin. U dënua nga gjykata e Tiranës në mungesë me dënimin maksimal që përmbante Kodi Penal i Mbretërisë; më 24 tetor 1933 iu hoq dhe grada ushtarake. Për më tepër, familja Alia u internua për tre vjet në Mallakastër. Përfitoi nga amnistia e shpallur më 22 qershor 1939 me dekret mbretëror dhe, pas një muaji, më 20 korrik të të njëjtit vit u kthye në Fushë-Alie, pasi kishte qëndruar në arrati në Kosovë nga 10 dhjetori i vitit 1936 kur u largua nga Dibra. Pas pushtimit italian të Shqipërisë, Halil Alia u kthye në punë me gradën e mëparshme si komandant i Baterisë 75/13 dhe u caktua nënpunës shërbimi në Shkodër. Që këtu u thirr në Tiranë, ku mori detyrën për formimin e reparteve të milicisë në Dibër. Më 11 maj 1942 u zgjodh deputet i Tokave të Lirueme. Më 8 korrik 1944 u zgjodh unanimisht kryetar i Besëlidhjes Antikomuniste, që u mbajt në Fushë-Alie me pjesëmarrjen e më shumë se 5000 burrave të ardhura nga e gjithë treva. Më 22 dhjetor të vitit 1944, u rrethua nga forcat partizane të brigadave 17 dhe 18 të kompanisë së shtabit të Divizionit të dytë në shtëpinë e Arif Muratit (Ratës), në fshatin Kolosjan të Lumës dhe, pas shumë orësh luftimi, u vra tek po përpiqej të çante rrethimin. Më 29 dhjetor të vitit 1945, Komiteti Ekzekutiv i Nënprefekturës së Shumbatit, vendosi sekuestrimin e të gjithë pasurisë së tij, të luajtshme e të paluajtshme. Asllan Loka, Shqipëria, Dibra, Aliajt dhe Hali Alia, Tiranë, 2008, f. 50-54, 86, 144, 227, 272-275; Fletorja Zyrtare e Mbretnisë Shqiptare, nr. 38, 24 qershuer 1939; AQSh, F. 165, viti 1941, D. 11, fl. 118; Gazeta Zyrtare, nr. 7, 24 kallnor 1946, f. 5-6.
Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI I
● Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit