BATKINA (pisha) Taisa

BATKINA (pisha) Taisa
(Person i dënuar nga regjimi komunist)

Hebreje ruse, kimiste. Lindi më 2 shtator të vitit 1932, në qytetin Tula, në Rusi. Kreu studimet në Universitetin e Moskës. Aty u njoh dhe u martua me studentin shqiptar Gaqo Pisha, që në vitet ’50-të studionte për filozofi në Universitetin e Moskës, dhe në vitin 1957 erdhën në Shqipëri. Po atë vit filloi punë në Universitetin Shtetëror të Tiranës, në katedrën e kimisë organike. Në vitin 1966, kur filloi fushata «e qarkullimit të kuadrove», bashkëshortët Pisha i transferuan në Berat, ku ajo filloi punë në kombinatin e tekstileve. Për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore të të shoqit, më 1971 i kthyen në Tiranë. U arrestua më 1977, dhe më 16 korrik të po atij viti, Gjykata e Rrethit të Tiranës e dënoi me 16 vjet heqje lirie dhe konfiskimin e pasurisë së luajtshme, për «tradhti ndaj atdheut në formën e spiunazhit dhe agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor». Ky vendim u la në fuqi edhe nga Gjykata e Lartë, më 5 gusht 1977. U lirua me dekret, më 13 janar 1986. Më 1990 u largua familjarisht në B.S., e prej këtu në Izrael. AISKK, F. 1, V. 2012, D. 1, Fl. 372.

Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI I
Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit

[cite]