BUTKA Safet
(Person i dënuar nga regjimi komunist)

I biri i atdhetarit Sali Butka, profesor, nacionalist, kundërshtar i komunizmit. Lindi në Butkë të Kolonjës, më 10 gusht të vitit 1901. Studimet e mesme dhe ato universitare i kreu në Linz e Graz të Austrisë, ku u diplomua për filozofi (1928). Atje botoi studimin e tij të parë «Naim Frashëri, jeta dhe veprat», 1925. Pas kthimit në atdhe, u caktua profesor në Liceun e Korçës, shkollën Tregtare të Vlorës, drejtor i shkollës Normale të Gjirokastrës, inspektor në Ministrinë e Arsimit dhe drejtor i Liceut shtetëror të Tiranës (1929-1939). Udhëhoqi demonstratat e para antifashiste të studentëve dhe qytetarëve të Tiranës (3-6 prill 1939). Nuk pranoi të nderonte alla-fashiste dhe, si drejtor i Liceut, frymëzoi edhe pedagogët e nxënësit të mos nderonin pushtuesit. U burgos dhe u internua nga italianët në ishullin Ventotene (1939-1942). Nacionalist, luftëtar i lirisë dhe i çlirimit kombëtar, komandant i çetave të Ballit Kombëtar në qarkun e Korçës (1942-1943). Zhvilloi disa beteja kundër pushtuesve italianë: në Floq, janar 1943; Pocestë, shtator 1943 etj., dhe kundër gjermanëve: Barmash, gusht 1943, në bashkëpunim me Misionin Britanik në Shqipëri. Nismëtar dhe veprimtar i bashkimit të të gjithë shqiptarëve në luftë për një shqipëri të Kampi i internimit në Plug të Lushnjës (foto: Lekë Previzi) lirë, etnike dhe demokratike. Pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes, menjëherë sa kishte përfunduar një betejë kundër italianëve në Pocestë, u rrethua nga forcat komuniste në Melçan dhe, për të mos shkaktuar luftën vëllavrasëse, por edhe për të mos rënë në duar të tyre, u vëtëflijua më 19 shtator 1943. Është dekoruar me medaljen «Martir i Demokracisë» dhe titullin më të lartë «Urdhëri i Flamurit Kombëtar». AQSH, Fondi «Safet Butka»; Iljaz Gogaj, «Punëtorë të shquar të shkollës shqiptare», «Eurorilindja » dhe «Shtëpia e Librit», Tiranë, 2001; Uran Butka (Përg e red.), «Safet Butka», «Maluka », Tiranë, 2003.

Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI I
Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit

[cite]