DAVA (motër Vitore Kallmeti)

DAVA (motër Vitore Kallmeti)
(Person i dënuar nga regjimi komunist)

Murgeshë. Lindi në Shkodër, në vitin 1916. Në moshën 15 vjeçare vendoset pranë motrave Servite në Shkodër me emrin Vitore Kallmeti. Specializohet dy vjet në Bolonja të Italisë për edukimin e fëmijëve. Rreth 10 vjet jeton në Kuvendin e Serviteve. U bë e njohur në Shkodër për mbledhjen e ndihmave që ua dërgonte klerikëve të burgosur në Burrel, në kampet e Spaçit e të Qafë Barit, në Ballsh e Sarandë. Kryetari i Degës së Punëve të Brendëshme në Shkodër, Feçor Shehu ia shkëputi nga gjoksi kryqin. Ajo e mori e puthi dhe e vendosi sërish pranë zemrës. Më 1946 kur çdo ditë dëgjoheshin krismat e armëve nga pushkatimet e njerëzve ishte ajo e para që do të ndodhej në vendin e ngjarjes, pranë mureve të varrezave në fushën e Rmajit. Jetonte në familjen e Matilde Koliqit. Letërkëmbimi i rrallë i Davës me At Jak Gardinin në burg dhe me motrën e Atit në Itali që i është besuar Kolec Çefës, tregon se sa guximtare e humanitare ka qenë kjo motër. Kur gjeti syzet e thyera të Pater Faustit të vrarë me 4 mars, ato në duart e saj u kthyen në relike të shenjta për të lehtësuar të sëmurët dhe të vuajturit. Sot i janë dhuruar Pater Petro Majones, drejtorit të Seminarit Jezuit në Shkodër. Ka ndihmuar At Meshkallën, Imzot Koliqin etj. Shumë vite jetoi në një banesë të rrënuar nga nga tërmeti i vitit 1979. Vdiq në vitin 1988, në moshën 72 vjeç. Anton Benussi, cit. sipas Martirizimi i Kishës Katolike Shkodër, 1993, f. 79-81. F. 1, Viti 2013, D. 5, f. 719.

Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI II
Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit

[cite]