(Person i dënuar nga regjimi komunist)
Lindi në Krujë në vitin 1914. I burgosur për motive politike. Vëllai i Xhemal Ferës, sipërmarrës i njohur “arratisur” në Itali, dhe dhëndër i Abaz Kupit. Më 16 korrik 1946, me vendim nr. 72, Komiteti Ekzekutiv i Këshillit Popullor të Nënprefekturës Krujës, «tue marrë parasysh se i quejtuni Xhemal Fera qysh në vitin 1940 asht largue nga Shqipnija dhe banon n’Itali tue mbajtë nji qendrim anmiqësor kundrejt Pushtetit t’onë Demokratik, dhe mbasi vllaj tij Qazimi sot ndot[d]het i burgosun për çështje politike në dam të Pushtetit vendosi konfiskimin e krejt pasunis së tundshme e të pa tundëshme të Xhemal Ferës e vëllait [Qazimit]: 4 shtëpija (prej të cilave 3 të djeguna, por, me mure të pa rrenueme) që ndodhen në qendrën e Burrelit.” Komiteti Ekzekutiv i K. P. të Nën-Prefekturës Krujë, me vendim nr. 16 dt. 7 tetor 1947 “tue marrë parasysh se të quejtunit Xhemal e Qemal Ferra nga lagja Kaçaç, sektori Perlatej, të pa ndarë (Xhemali i arratisun Jashtë Shtetit dhe vëllaj i dënuar prej Gjykatës Ushtarake) vendosi: sekuestrimin e pasunisë së tundëshme dhe të patundëshme të ‘tradhtarit kriminel lufte dhe armik i popullit’: mobile e sende shtëpijake simbas inventarit; prej 7 dhomash 4 i janë lanë provizorisht për banim familjar e 3 dhoma të tjera janë marrë dhe vendosun me qira, 2 bacashta janë marrë nga Reforma Agrare.” Më 26 gusht 1946, Gjykata e Rrethit të Tiranës e deklaroi fajtor për «krime kundër shtetit» dhe e dënoi me 5 vjet burg, konfiskimin e pasurisë dhe humbjen e të drejtave për 5 vjet kohë. Gazeta Zyrtare, 7 gusht 1946, F. 1, 2; Gazeta Zyrtare, 5 janar 1948, F. 1; AISKK, F. 1, Viti 2013, D. 9, F. 106-107.
Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI II
● Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit