FLOQI Kristo
(Person i dënuar nga regjimi komunist)

Dramaturg, (Korçë 1876 – 1951), autor i njohur i viteve ‘20-’30. Shkroi katër tragjedi me temë kombëtare historike. Shkollën e mesme dhe studimet universitare i kreu në Athinë. Më 1899 fitoi Doktoratën në Drejtësi. Ushtroi avokaturën për disa vjet në Greqi dhe pastaj në Shqipëri. I ndjekur prej qeverisë turke, si pjesmarrës në lëvizjen kombëtare, emigroi në Amerikë, ku drejtoi për disa kohë fletoren Dielli. Bashkëthemelues i Federatës panshqiptare Vatra. Në kohë të qeverisë së Vlorës emërohet kryetar i gjyqeve civile e penale. 1915: Sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë në qeverinë e Durrësit në kohë të Wiedit. Emërohet prokuror në gjykatën e Korçës. Gjatë kryengritjes së Shqipërisë së Mesme, shpërngulet në Shkodër, ku ushtroi avokaturën. 1920 në Tiranë, emërohet Ministër i Arsimit në Kabinetin e Iliaz Vrionit. Zgjidhet deputet i Dibrës, pastaj i Korçës. Më 1929 emërohet anëtar i Këshillit të Shtetit. Nënkryetar i Këshillit të Shtetit më 1941-42. Ka drejtuar të përkohëshmet Dielli (Boston), Agimi (Shkodër 1919), fletoren e Amerikës, Zëri i Popullit dhe Indipendencën e Tiranës. Kristo Floqi hartoi katër drama, gjashtëmbëdhetë komedi, gjashtë vëllime në poezi e satira, vepra juridike e letrare dhe mjaft artikuj deri në vitim 1944. Pas Luftës së II-të botërore u arrestua nga komunistët dhe u dënua. Vdes në burg në vitin 1951. Veprat: Drama: Fe e kombësi; Karllo Topija; Pirro Neoptolemi; 4) Triumfi i lirisë. Komedi: Rrogat e nëpunësvet; Lojnat e studentëvet; Do të vras vedin; Vllazni e interesë; E bij’ e Bankjerit; Dhandërr me përdhuni; Merre t’a marrim; Ndér e qytetëri; Kundrështarët e prikës; Pësimet – Mësime; Zi e më zi; Reklamë e blofë; E mbes’ e Krahinarit; Akraballëket; Ministri kandidat; Tetua e Karlit. Juridike e letrare: E drejta themelore; Administrata; Ekonomi politike e shoqërore; Patriotismë e nacionalismë. Poezi e satira: Tingëllimet e zemrës; Shkëndija; Shqiptarët; Qerthulli politik; Epope e Korçës ose Dëshmorët e Rilindjes; Dëshira e vërtetë e Shqiptarëvet. Në AQSH ruhen disa vepra në dorëshkrim të pabotuara; një Fjalor i gjuhës shqipe dhe një Greqisht-shqip. Robert Elsie, History of Albanian Literature, New York, Columbia University press, 1995; Dukagjini, [V. shqip], Pejë, 1996; Karl Gurakuqi, Shkrimtarët Shqiptarë (Histori e letërsisë shqipe, pjesa II: Rilindja), nën kujdesin e Ernest Koliqit, bot. 2, Pakti, Tiranë, 2008, F. 249.

Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI II
Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit

[cite]