(Person i dënuar nga regjimi komunist)
Funksionar i lartë në admistratën osmane, politikan, shkrimtar. Lindi në fshatin Frashër të Përmetit, më 28 shkurt të vitit 1874. Ishte funksionar i lartë i administratës perandorake osmane, bej në Jerusalem, Guvernator i Përgjithshëm në Palestinë (1911) dhe zëvendëskomisioner i lartë në Egjipt (1912). Pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, u zgjodh prefekt i qarkut të Beratit, kurse në gusht 1913 u emërua anëtar i Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit. Pas largimit të Princ Vidit nga Shqipëria, mërgoi tek i kushëriri, Mid’hat Frashëri [shih] në Lozanë. Pas një orvatjeje të dështuar për t’u kthyer në atdhe më 1915, vitet e luftës i kaloi në Shën Mitër Koronë. Me të mbaruar Lufta e Parë Botërore, u kthye në Shqipëri, ku mbajti poste të ndryshme, ndër ta, postin e Ministrit të Brendshëm (1918-1920), anëtar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris (qershor 1919), të Ministrit të Jashtëm (1919), të Përfaqësuesit në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë (1923), të Ministrit të Ekonomisë (1930-1931) dhe të Kryeministrit (21 tetor 1935-7 nëntor 1936). Që në ditët e para të pushtimit (italian), me iniciativën e tij, filloi të transmetonte në radio sulme të forta kundër pushtimit të vendit. Dhe kur trupat pushtuese italiane arritën në portat e Tiranës, ai kërkoi strehim në legatën turke, duke mos pranuar të nënshkruante një deklaratë në mbështetje të italianëve. Për këtë arsye, pak më vonë, ai u arrestua dhe u internua në Itali. Më 22 tetor 1943 u zgjodh Kryetar i Këshillit të Regjencës. Pas kapitullimit të Gjermanisë, u largua nga vendi bashkë me familjen e tij dhe një numër dinjitarësh, kur gjermanët u tërhoqën. Pas një qendrimi të shkurtër në Vjenë e Kitzbühel të Tirolit, u largua drejt Italisë. Më 17 shtator 1946, me vendimin nr. 285, Komiteti Ekzekutiv i N/Prefekturës së Përmetit urdhëroi sekuestrimin e pasurisë së tij të tundshme dhe të patundshme. Vdiq në Romë, më 25 maj të vitit 1963. Vepra: Imtiyazat-i ecnebiyenin Tatbikat-i haziresi (Mbi zbatimin e privilegjeve dhe tatimeve të huaja, Samsun 1907), Nevruzi (roman, Tiranë 1923), Trathëtia (dramë, Tiranë 1926), Liga e Prizrenit dhe effektet dipllomatike të saj (Tiranë 1927), Problemet shqipëtare (Tiranë 1944). Bernd J. Fischer, Mbreti Zog dhe përpjekja për stabilitet në Shqipëri, «Çabej», Tiranë 1996, f. 298; Hermann Neubacher, Një diplomat nazist me mision në Shqipëri, në «Almanak», 2, Tiranë 2012, f. 290; Robert Elsie, Histori e letërsisë shqiptare, «Dukagjini», Tiranë-Pejë 1997, f. 343-344; Uran Butka, Gjeniu i Kombit, Tiranë 2000; Mehdi Frashëri, Probleme Shqiptare, «Plejad», Tiranë 2006; Gazeta Zyrtare, 22 shkurt 1947, f. 4.
Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI VI
● Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit