(Person i dënuar nga regjimi komunist)
Personalitet madhor i Rilindjes, i Pavarësisë, i Luftës së Dytë Botërore dhe i luftës kundër komunizmit.U lind në Janinë më 25 mars 1880. Biri i Abdyl Frashërit. Mësimet e para dhe ato universitare i mori në Stamboll. Veprimtar i Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja në Stamboll, editor i “Kalendarit Kombiar”(1897-1928), botues i Gazetës “Lirija”( 1908) dhe i revistes kulturore “Dituria”(1909-1929). Kryetar i Kongresit kombëtar të Manastirit (1908) dhe nismëtar i Kongresit arsimor të Elbasanit (1909). Frymëzues i përpjekjes kombëtare për vetëdijësimin dhe identitetin kombëtar, gjuhën shqipe, shkollat shqiptare, kulturën, arsimimin, qytetarinë, si mundësi për bashkimin, çlirimin, emancipimin dhe integritetin e kombit. Mori pjesë në Kuvendin kombëtar të Vlorës si delegat i Kosovës dhe i Elbasanit dhe nënshkroi Aktin e Pavarësisë. Ministër në qeverinë e Ismail Qemalit, të Princ Vidit, të Turhan Pashës. Kryetar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris ( 1920-22) dhe përfaqësues i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve. Ambasador i Shqipërisë në Greqi (1923-1925). Themelues i Librarisë “Lumo Skëndo”, qendër e kulturës në Tiranë. Themelues i organizatës së Ballit Kombëtar dhe kryetar i saj në vitet e luftës kundër pushtuesve nazifashistë. Nismëtar i Kuvendit të Mukjes, 1-3 gusht 1943, kryetar i delegacionit të BK në këtë kuvend dhe kontribuesi kryesor për arritjen e Marrëveshjes së Mukjes për një Shqipëri të lirë, etnike e demokratike dhe luftë të përbashkët në krah të aleatëve antifashistë kundër okupatorëve. Pas luftës civile ndërmjet nacionalistëve dhe komunistëve, u detyrua të linte atdheun dhe të emigronte në Itali. Qeveria komuniste e dënoi me vdekje dhe kërkoi kokën e Mit’hat Frashërit nga qeveria italiane. Në vitin 1949, në krah të aleatëve anglo-amerikanë, themeloi Komitetin Shqipëria e Lirë, qeveri shqiptare në emigracion, me qendër në Nju York (1949) për të drejtuar luftën kundër diktaturës komuniste në Shqipëri dhe vendosjen e rendit demokratik. Vdiq në Nju York më 3.10.1949. Përgjatë jëtës së tij ka botuar një sërë artikujsh në shtypin shqiptar e të huaj, si edhe veprat: ”Çështja e Epirit”, “Shqiptarët e sllavët”, “Pritmi i Shqipërisë”, “Shqiptarët në vend të tyre dhe jashtë”, “Udhëtarët e huaj në Shqipëri”, “Rivendikimet shqiptare”, “Hi dhe shpuzë” etj. Eshtë dekoruar me Urdhrin e Skëndërbeut dhe urdhrin Nder i Kombit. U. Butka, Gjeniu i Kombit, 2000.
Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI II
● Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit