GURAZIU Pjetër
(Person i dënuar nga regjimi komunist)

Lindi më 30 tetor 1906, në lagjen Gjuhadol të Shkodrës. Më 1912 familja e tij u vendos në Bari, në Itali, ku dhe kreu të gjithë arsimimin e tij, deri sa mbrojti doktoraturën në shkencat ekonomike, në Universitetin e Barit. U mor edhe me atletikë, me kërcim së gjati, dhe u shpall disa herë kampion i universiteteve italiane në vitet 1924, 1925 etj. Më 1930, u kthye në Shqipëri. Filloi punë si mësues në Shkollën e Mesme Tregetare të Vlorës. Disa vite më vonë, punoi në Doganën e Tiranës. Në vitet e pushtimit të vendit, u tërhoq në aktivitetin privat të familjes, që drejtohej nga i ati. Pas fitores së komunistëve, u ftua të mirrte pjesë në formimin e qeverisë në Berat, por u pengua nga shëndeti. Më 1946, u zgjodh në Komisionin Kombëtar të Atletikës, për organizimin e lojërave të Ballkaniadës. Gjatë periudhës 1946-1951, shërbeu në detyra të rëndësishme në dikasteret qendrore të shtetit shqiptar (Shef Finance pranë Ministrisë së Bujqësisë dhe Minierave etj.). U arrestua më 27 shkurt 1951, dhe u pushkatua pas 5 ditësh pa proces gjyqësor, së bashku me 21 intelektualë të tjerë. Më 11 gusht 1991, Plenumi i Gjykatës së Lartë shpalli vendimin e pafajsisë për të 22 të pushkatuarit e 27 Shkurtit 1951. I është akordua medalja «Për Veprimtari Patriotike» (1993) dhe urdhëri «Nderi i Kombit» (2011).

Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI VI
Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit

[cite]