KASIMATI Hadi
(Person i dënuar nga regjimi komunist)

Lindi në vitin 1890, në Dibër. Komandant i një çete nacionaliste. Së bashku me pesë komandantë të tjerë nacionalistë kishin lënë takim me komunistët në Ziçisht, Devoll. Komunistët i prenë në Besë dhe i vranë të gjashtë. Për këtë ngjarje, më 18 tetor 1943, Koçi Xoxe i shkruan Enver Hoxhës: “Pas vrasjes të gjithë Shtabit të Ballit në Devoll, 6 veta në një ditë, prej çetavet t’ona, e shtinë tani një gjendje lufte e të shpallet sot e nesër me Ballin.” Komunistët e prenë me thikë në fyt H.K dhe i thanë: “Hajd, tani na fol dhe një herë për Shqipërinë tënde.” Më 29 maj 1993, komisioni i krijuar për vërtetimin e kohës së dënimit administrativ, të faktit të vdekjes së personit në burg pa qenë i dënuar dhe të pushkatuarve pa gjyq, vërtetoi faktin e vrasjes së tij pa gjyq më 8 shtator të vitit 1943. F. 1, V. 2014, D. 19, f. 180-181; Gazeta 55, 18 nëntor 2014, 17; Uran Butka, “Lufta civile në Shqipëri, 1943-1945”, (Tiranë: Drier, 2006), 139.

Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI IV
Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit

[cite]