(Person i dënuar nga regjimi komunist)
Drejtues i lartë i Legalitetit. Lindi në fshatin Macukull të Matit, në vitin 1910. Më 1939, së bashku me Abaz Kupin, luftoi kundër pushtimit fashist të Shqipërisë. Pas pushtimit, u internua në Berat. Më 1943, u caktua përfaqësues i Legalitetit në Mukje, ku u ngarkua me detyrën e posaçme të organizimit të mbrojtjes dhe sigurisë për mbarëvajtjen e konferencës. Mori pjesë në Kongresin I të Legalitetit, dhe u zgjodh në organet e larta drejtuese të tij. Pas lufte, e vazhdoi qëndresën e armatosur antikomuniste në zonën e Matit, Dibrës dhe të Mirditës, në krye të një grupi prej 10 vetësh, ku bënin pjesë edhe djemtë e tij. Në vitin 1948 u largua nga Shqipëria, së bashku me luftëtarët e tij, por u arrestua në Shkup nga UDB-ja jugosllave, dhe u pushkatua pa gjyq, më 31 dhjetor të vitit 1948.
Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI V
● Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit