(Person i dënuar nga regjimi komunist)
Lindi 1933, në Vlorë, në një familje tregëtare. Vëllai i Reshat Kripës [shih]. Më 1950, bashkë me dy shokë të tij, nxënës të klasës së dytë të gjimnazit “Ali Demi, formojnë një organizatë antikomuniste që shpërndante trakte në shkollë. Arrestohet më 15 prill 1950 dhe me Vendimin Nr. 180, datë 21.shtator 1950, të gjykatës ushtarake të Gjirokastrës, dënohet me 15 vjet privim lirie, humbjen e së drejtës elektorale për 4 vjet, punë të detyruar dhe konfiskimin e pasurisë. Fillon kështu kalvari i gjatë nëpër kampet e punës së detyruar si Nizhaveci, Gosa e Vogël, Ura Vajgurore, Vlashuku, Shtyllasi, Rinasi, Zadrima, Çerma, Bubullima e të tjera. Ky kalvar vazhdoi 11 vjet e 8 muaj. U lirua në dhjetor 1961. Pas kësaj u detyrua të punonte si punëtor, deri sa doli në pension, në tunelet e fabrikës së tullave në Vlorë. Përfundoi gjimnazin e mbrëmjes por iu refuzua e drejta e studimit për më lartë. Pas ndryshimeve demokratike u aktivizua me Partinë Demokratike dhe Shoqatën e të Përndjekurve Politikë. Në periudhën 1992- 1996 ka qenë zgjedhur Këshilltar i Këshillit të Bashkisë Vlorë. Vdiq më 26 nëntor 2006. AISKK, F. 1, Viti 2014, D. 15, Fl. 397-398; Fahri Shaska, Të quajtur armiq të popullit, 2010, 32.
Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI IV
● Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit