(Person i dënuar nga regjimi komunist)
Klerik katolik, definitor i Provincës Françeskane Shqiptare, drejtor i Muzeumit Arkeologjik. Lindi në Selcë të Kelmendit, më 1 tetor të vitit 1882. Studijoi në Kolegjin Françeskan të Kallmetit. U shugurua meshtar më 1 shtator të vitit 1907. Më 1914 filloi studimet për teologji e filozofi pranë Fakultetit Teologjik të Universitetit të Gracit. Pas mbarimit të studimeve u kthye në atdhe dhe më 1920 u caktua famullitar në Pejë. Më 1921 u arrestua nga serbët dhe u torturua barbarisht. Katër vjet më vonë, më 1925, u dëbua jashtë kufijve të Jugosllavisë. U vendos në Shkodër, ku u zgjodh tre herë definitor i Provincës Françeskane Shqiptare. Në gjithë këtë kohë, qe dhe drejtor i Muzeumit Arkeologjik. Shërbeu në Rubik e, për shumë vite, në Laç të Kurbinit. Në vitet e luftës ishte famullitar i Bizës së Ishmit. Është një nga firmëtarët e statutit të ri të Kishës Katolike Shqiptare (1951). U arrestua më 1955, dhe u dënua me 20 vjet heqje lirie. Vdiq si pasojë e torturave, më 22 nëntor 1956, në burgun e Burrelit, ku dhe u varros. Dr. Pjetër Pepa, Tragjedia dhe lavdia e klerit katolik në Shqipëri, “55”, Tiranë, 2007, Vol. II, II, f. 289-290.
Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI V
● Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit