NDOJ Prengë Gjetë
(Person i dënuar nga regjimi komunist)

Ushtarak, vëllai i Nikollë Gjetë Ndojt [shih]. Lindi në vitin 1910, në Mashtërkor të Oroshit. Në vitet e fundit të Mbretërisë shërbeu si oficer në ushtri. Mori pjesë në Luftën Italo-Greke më 1940. Pas kthimit, hapi një dyqan, një hotel të vogël dhe furrë buke në qendër të Nënprefekturës Shpal, deri në fund të vitit 1943, kur u zhvendos familjarisht në Shkodër. Nga Shkodra u kthyen në shkurt të vitit 1945. I vëllai, Nikollë Gjetë Ndoj [shih], në atë kohë ishte bashkuar me forcat e rezistencës antikomuniste. Më 21 shkurt 1945, forcat e operacionit ndëshkues mbërritën në Mashtërkor, e lidhën pas një peme, veçuan mallin që e konfiskuan dhe i vunë zjarrin kullës. Në gjyqin që u zhvillua në Shkodër u dënua me 3 vjet burg. U lirua në fund të vitit 1946. Pas vrasjes së të vëllait në Rubik, më 1948, u bashkua forcat antikomuniste dhe në vjeshtën e vitit 1948 u arratis jashtë vendit. Familja e tij u internua në Lezhë, Berat e Tepelenë. Prengë Gjergj Gjomarkaj, Mirdita nën terrorin komunist, ISKK, Tiranë 2016, f. 121-122.

Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI VI
Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit

[cite]