(Person i dënuar nga regjimi komunist)
Pjesëmarrës i Kongresit të Manastirit, njëri prej delegatëve të Elbasanit në Kuvendin e Vlorës, nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, Ministër i Postë-Telegrafës (4 dhjetor 1912-21 shkurt 1914), Kryetar i Asamblesë Kombëtare (1943), Anëtar i Regjencës (1943-1944), botues, arkivist, filolog, folklorist, etnograf, numizmat, arkeolog e politikan. Lindi më 9 prill të vitit 1877, në lagjen «Kala» të qytetit të Elbasanit, në një familje të kamur ortodokse. U arsimua fillimisht në vendlindje e më pas në Athinë. Megjithëse nuk i përfundoi studimet e larta për farmaci (kreu vetëm 2 vjet), pas kthimit në qytetin e lindjes, iu përkushtua me zell punës për njohjen e gjërë dhe të thelluar të historisë dhe të kulturës shqiptare. Veprimtaria e ngjeshur kombëtare e bëri shumë shpejt objekt ndjekjeje për autoritetet osmane. Në 1902 shpëtoi pa u dënuar, sepse nuk provua fajësia. Ideja e Lef Nosit për shtetin e ri shqiptar mori formë në programin politik që, së bashku me Faik Konicën, shtypën në Londër më 1907. Lëvizja politike do të quhej Ana Kombëtare dhe programi i saj përmbante 24 pika. Forma qeverisëse do të ishte monarkia. Shteti i ri shqiptar do të kishte në përbërjen e tij katër vilajetet e perandorisë osmane: Janinës, Kosovës, Manastirit dhe Shkodrës. Shteti shqiptar do të ishte shtet laik. Më 1908 mori pjesë në Kongresin e Manastirit, si kryetar i shoqërisë «Afërdita» të Elbasanit, por pa të drejtë vote. Në maj të po këtij viti ndërmorri një udhëtim në Filadelfia, SHBA, në shërbim të çështjes shqiptare. Më 1909, u zgjodh kryetar i Klubit «Vllaznia» në Elbasan. Ishte një nga figurat qëndrore që kontribuan në organizimin dhe zhvillimin e Kongresit Arsimor Kombëtar të Elbasanit (tetor 1909) dhe të hapjes të së parës shkollë normale në vend (1 dhjetor 1909). Në këtë kohë ai ishte mësues i shkollës shqipe të natës. Më 7 gusht 1910 u arrestua nga ekspedita ndëshkimore e Shefqet Turgut Pashës, që kish vepruar në gjithë Gegninë. Katër ditë më vonë u dënua nga një gjykatë ushtarake dhe u internua në Bursë të Turqisë. U lirua 9 muaj më vonë, dhe në mesditën e 9 prillit 1911 mbërriti në Elbasan. Rifilloi të gjurmojë e të mbledhë dokumente historike, antikuare, filateli, materiale folklorike, etnografike, si dhe botime albanologjike e ballkanologjike. Kësisoj arriti të mbledhë një material të pasur folklorik. Shtoi bashkëpunimin me klubet atdhetare të kolonive shqiptare të Janinës, Stambollit, Manastirit, Bukureshtit dhe me klubet brenda vendit. Në vijim punoi dhe hartoi «Abetare për shkolla fillore meshkujsh e femrash», të cilën e botoi në bashkëpunim me klubin e Manastirit. Më 28 nëntor të vitit 1912, u zgjodh një prej delegatëve që do të përfaqësonin Elbasanin në Kuvendin e Vlorës. Nënshkroi Deklaratën e Pavarësisë së Shqipërisë dhe u zgjodh anëtar i kabinetit të Ismail Qemalit. Në 4 dhjetor, u zgjodh Ministër i Postë-Telegrafës. Ishte një nga nismëtarët për ngritjen e shërbimit informativ të shtetit të ri. Nën drejtimin e tij, Qeveria e Përkohshme nxorri gjashtë emisione pullash. Në mars 1914 u caktua në delegacionin e qytetit të Elbasanit për pritjen e princ Wied në Durrës. Në 25 dhjetor 1918, u zgjodh delegat i Elbasanit në Kongresin e Durrësit, së bashku me Shefqet bej Vërlacin dhe Ahmet Daklin. Në 1919 u zgjodh delegat për në Konferencën e Paqes, përkrah Mehmet Bej Konicës, Luigj Gurakuqit, Mustafa Krujës, Imzot Luigj Bumçit etj. Në vitet 1918-‘19 drejtoi të përkohshmen «Kopështi letrar», që botohej në Elbasan. Bashkë me mikun e tij, Ahmet Daklin, bënin pjesë në grupin politik «As i beut as i pashës», që dështoi në zgjedhjet e viti 1923. Pas grushtit të shtetit të vitit 1924, u caktua kryetar bashkie i Elbasanit. U tërhoq nga jeta politike me fitoren e Legalitetit në dhjetor të 1924, dhe iu kushtua studimeve gjuhësore, historike e etnografike, si dhe filatelisë, numizmatikës e mbledhjes së dokumenteve e librave të rrallë me vlerë për historinë kombëtare. Më 18 dhjetor 1934, Ministri i Arsimit, Mirash Ivanaj [shih], me ndërmjetësinë e Inspektorisë së Arsimit, i kërkoi të përshkruante hollësisht flamurin e ngritur më 28 nëntor 1912. Botoi revistën e përmuajsme historike «Dokumenta historike për t’i sherbye histories tonë kombëtare» dhe, më 1937, me rastin e 25 vjetorit, një fletëpalosje me Aktin e Pavarsisë. Pas pushtimit fashist të Shqipërisë, u internua në Itali, bashkë me Mehdi Frashërin dhe Rauf Ficon. U kthye në atdhe më 1942. Më 14 shtator 1943 mori pjesë në Kuvendin Kombëtar që e shkëputi Shqipërinë nga Italia dhe e shpalli shtet të pavarur dhe neutral. U vendos në Tiranë, në hotel «Dajti». Më 1943 u zgjodh kryetar i Asamblesë Kombëtare, dhe në tetorin e po atij viti, edhe anëtar i Këshillit të Regjencës. Pas tërheqjes së gjermanëve, u fsheh bashkë me Atë Anton Harapin [shih] në malet e veriut, i veshur si frat. Në tetor 1944 qëndroi në Kuvendin Françeskan. Meqë nuk mund të jetonte në malet e Pultit, e dërguan në fshatin Kir, ku pa kaluar shumë kohë u zbulua se nuk ishte frat, dhe u arrestua. U dërgua në Tiranë. Gjyqi kundër tij, Atë Anton Harapit dhe Maliq Bushatit [shih] u hap më 1 shkurt 1946. Gjyqi u zhvillua në sallën e kinema «Kosova». Mikja e tij, antropologia skoceze, Margaret Hasluck, i shkroi një letër Enver Hoxhës, në të cilën shfaq gatishmërinë për të dëshmuar përpara çdo gjykate shqiptare për pafajsinë e Lef Nosit. Por më 12 shkurt 1946, Gjykata Ushtarake e Tiranës (vendim nr. 24) e dënoi me vdekje, me pushkatim, humbjen e të drejtave qytetare e politike, si dhe konfiskimin e pasurisë së luajtshme e të paluajtshme. U ekzekutua te Kodra e Priftit (ose, sipas një versioni tjetër, te Kodra e Kryegjyshatës Bektashiane), bashkë me Maliq Bushatin dhe Atë Anton Harapin. Në vitin 2004 u shpall «Qytetar Nderi» i Elbasanit, dhe një rrugë në këtë qytet sot mban emrin e tij. Emrin e tij mban edhe një shkollë e mesme në Prizren. Në vitin 2007 u dekorua me urdhrin «Gjergj Kastrioti- Skënderbeu». Lef Nosi, Dokumente historike 1912-1918, «Nënë Tereza», Tiranë; AMPB, Dosja N1086-A; AQSH, Fondi MSHPKP, v. 1945, Dosja 126; Nevila Nika, Përmbledhje dokumentesh mbi kryengritjet shqiptare, 1910-1912, Instituti i Historisë, Prishtinë 2003; Kastriot Dervishi, Kryeministrat dhe ministrat e shtetit shqiptar në 100 vjet, Tiranë 2012; M. Sadiku, Dokumentet, si u pushkatua Lef Nosi…, në «Panorama», 31 janar 2012; Ç. Hoxha, Lef Nosi: Kujtesa e kombit, në «Standard», 15 shtator 2012; Fjalor enciklopedik shqiptar (në tre vëllime), Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë 2008; Dr. L. Dushku, Kujtimet e Lef Nosit: Çfarë dëshmish la për flamurin e Pavarësisë, në «Shqiptarja.com», 10 dhjetor 2012; A. Boçe, Lef Nosi, një guru për pavarësinë, në «Shekulli», 16 prill 2012; Dr. K. Bevapi, Koha e Nosit : [Lef Nosi, në 130 vjetorin e lindjes], në «Standard», nr. 474, 5 prill, 2007, f. 20; AISKK, F. 1, V. 2017, D. 84, f. 36-37.
Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI VI
● Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit