PËRJAKU Gjon Ndue
(Person i dënuar nga regjimi komunist)

Nacionalist, i vëllai i Jak Përjakut [shih]. Lindi në vitin 1921, në fshatin Prull të Lezhës. Shkollën fillore dhe Gjimnazin e Shtetit e kreu në Shkodër. Gjatë luftës u rreshtua në forcat e Abaz Kupit. Pas vitit 1944, kur qeveria komuniste shpalli amnistinë, u kthye në shtëpi. Më 3 gusht 1946, me vendim nr. 283, Gjykata Ushtarake e Shkodrës e deklaroi «armik të popullit», dhe e dënoi me 2 vjet burg. Pas pushkatimit të të vëllait, Jak Përjakut [shih] më 1953, doli sërish në mal. Ende sa pa u mbushur viti, pas një informacioni të agjentëve të sigurimit, forcat e policisë e të ushtrisë e rrethuan çetën e Gjergj Nikoll Ndreut, ku bënte pjesë dhe ai, në Bushnesh. I plagosur rëndë, u kap dhe u dënua me 25 vjet burg dhe humbjen e të drejtës elektorale për 5 vjet kohë. Pas viteve ‘90-të, organizoi dhe drejtoi për disa vjet Shoqatën e Ish të Përndjekurve Politikë të Lezhës. Vdiq në moshën 93 vjeçare, në dhjetor 2014, në Lezhë. Prengë Gjergj Gjomarkaj, Mirdita nën terrorin komunist, ISKK, Tiranë 2016, f. 250-252; AISKK, F. 1, V. 2017, D. 87, fl. 136-137.

Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI VI
Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit

[cite]