PËRJAKU Jak Ndue
(Person i dënuar nga regjimi komunist)

Nëpunës, i vëllai i Gjon Përjakut [shih]. Lindi në vitin 1905, në fshatin Prull të Lezhës. Që në moshë të re, u dërgua në shkollë në Austri, së bashku me kushërinin e tij, Zef Përjakun. U kthye nga Austria më 1921 dhe u regjistrua në Liceun Frëng të Korçës. Pas mbarimit të shkollës, u emërua sekretar i komunës së Bregut të Matës, më vonë në komunën e Koplikut e në Seman të Fierit. Në vitin 1938, u emërua kryetar komune në Gjirokastër, pastaj në Hoçisht të Korçës, në Bicaj të Kukësit, N/Prefekt në Strugë dhe N/Prefekt në Ferizaj. Në vjeshtë të vitit 1944, u kthye në shtëpi, në Prull. Në pranverë 1947, u arrestua dhe u dënua me një vit burg. Më 1952, u arrestua për së dyti dhe, pas një viti hetuesie, më 26 maj 1953, me vendim nr. 90, Gjykata Ushtarake e Tiranës e deklaroi fajtor për «tradhëti ndaj atdheut», dhe e dënoi me vdekje, sepse ka qenë «nëpunës i lartë në qeverinë e Zogut, është pajisur me kulturë disidente jashtë shtetit, është prekur nga reforma agrare, është deklaruar familje kulaku, nuk ka përqafuar reformat demokratike» etj. Me gjithë përpjekjet e familjarëve që t’i falnin jetën, u pushkatua në gusht të vitit 1953. U varros në Tiranë, por eshtrat e tij nuk janë gjetur ende. Prengë Gjergj Gjomarkaj, Mirdita nën terrorin komunist, ISKK, Tiranë 2016, f. 190-191, 250- 252; AISKK, F. 1, V. 2017, D. 87, fl. 193-194.

Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI VI
Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit

[cite]