(Person i dënuar nga regjimi komunist)
Ushtarak i lartë, gjeneral, Krye-komandant i Ushtrisë Kombëtare Shqiptare. Lindi më 4 maj të vitit 1897, në fshatin Skuraj të Kurbinit. Nëntë vjeç i vranë të atin. Shkollën fillore e filloi më 1904 në «Konviktin e Maleve», kurse të mesmen e kreu në kolegjin françeskan, në Shkodër. Studimet e larta i kreu në Shkollën e Kadetëve në Vjenë (1914-1918), ku zuri miqësi me Ahmet Zogun. Pas përfundimit të studimeve u kthye në Shqipëri. Në tetor 1918 u emërua rrethkomandant i Krujës, me gradën n/toger. Në janar 1920 mori pjesë në mbrojtjen e Kongresit të Lushnjës. Më vonë u caktua në Tiranë, pranë Komandës së Përgjithshme. Në këtë kohë u gradua kapiten dhe u transferua në Shijak. Më 8 tetor 1922 shtypi grushtin e shtetit dhe u gradua kapiten i klasit I-rë. Më 10 qershor 1924, u largua bashkë me qeverinë e Zogut në Jugosllavi, prej nga u kthye më 18 dhjetor të po atij viti. Dy vjet më vonë, në dhjetor 1926 drejtoi forcat qeveritare për shtypjen e Kryengritjes së Dukagjinit. Në shtator 1929, tashmë major, filloi Shkollën e Luftës në Torino, bashkë me Ali Erebarën [shih] e Sami Kokën [shih]. Më të mbaruar shkollën më 1933, u gradua nënkolonel, u caktua inspektor i studentëve shqiptarë të Italisë dhe u vendos në Firence. Në fillim të vitit 1935 u kthye në Shqipëri dhe u caktua Komandant i Qarkut të Korçës. Po atë vit u kthye pranë Ministrisë së Mbrojtjes në Tiranë, me detyrë organizative. Nga dhjetori 1935 deri në prill 1936 u caktua pjesëtar i komisionit ndërkombëtar vëzhgues të luftës në Abisini dhe të manovrave të mëdha të Italisë. Më 7-9 prill 1939, priti dhe përcolli për në Greqi Mbretin Zog. Në Luftën Italo-Greke urdhëron braktisjen e frontit nga trupat shqiptare. Iu kundërvu komandës së lartë italiane dhe u izolua në Malet e Pukës, me gjithë shtabin dhe ushtrinë. Më 1942 u gradua gjeneral, por u mbajt «në dispozicion». Pastaj u dërgua me shërbim në Kosovë, por i dyshuar nga italianët për krijim turbullirash. Pas kapitullimit të Italisë, më 8 shtator 1943 i imponoi gjeneralit Dalmaco dorëzimin e ushtrisë italiane dhe mori në dorë komandën. Në tetor të po atij viti, u zgjodh Kryekomandant i Ushtrisë Kombëtare Shqiptare me gradën gjeneral divizioni. Dha dorëheqjen më 28 gusht 1944, dhe u tërhoq në Kurbin, ku u bashkua me misionin anglez. Pas largimit të tyre, në vitet 1944-1946 qëndroi në mal me forcat antikomuniste. Brigadat partizane dogjën kullat e Pervizajve në Laç (shtator 1943) dhe në Skuraj (17 janar 1945), kurse shtëpinë në Tiranë ia konfiskuan. Në shtator 1946 u arratis në Greqi, ku u mor me organizimin e forcave ndërhyrëse kundër regjimit në Shqipëri. Në Greqi qëndroi plot nëntëmbëdhjetë vjet, deri më 1965. Më 15 shkurt 1966 u transferua në Belgjikë si refugjat politik. U vendos në qytetin La Louvière, ku dhe vdiq më 6 shtator 1977. U varros në varrezat Saint Pierre Hainaut të qytetit. Lek Pervizi, Im atë gjeneral Pervizi: një jetë kushtue Atdheut, «Dorian», Bruxelles 2014.
Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI VI
● Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit