PICI Dom Luigj
(Person i dënuar nga regjimi komunist)

Meshtar katolik, famullitar i Reçit. Lindi në vitin 1907, në Ulqin. Mësimet e para i mori në Kolegjin Saverian dhe në Seminarin Papnor në Shkodër, kurse studimet e larta i kreu në Padovë të Italisë. Pas përfundimit të studimeve, më 1926 u shugurua meshtar nga Imzot Lazër Mjeda. Meshën e parë e tha në Kishën Katedrale të Shkodrës. Fillimisht shërbeu si famullitar në Mal Kolaj. Prej andej u transefrua në Reç, ku shërbeu nga viti 1927 deri më 1946. Në të hyrë të vitit 1945, meqë kish qenë antifashist, u zgjodh kryetar i Frontit Demokratik për Prefekturën e Shkodrës. Në fillim të vitit 1946 dëshmoi në gjyq në favor të bashkëvëllezërve të tij meshtarë, etërve Fausti [shih] e Dajani [shih], ndaj më 1 mars të po atij viti, Nazmie Velica, Sadik Rama dhe Hasan Smaja propozuan që të largohej nga detyra. Dhe në mbledhjen e dytë të Këshillit të Përgjithshëm të Frontit Nacional-Çlirimtar, të mbajtur më 9 prill 1946, ai u përjashtua bashkë me Hysni Pejën, Kolë Rodhen, Suat Asllanin e Dan Kaloshin, me akuzën se kishin punuar kundër Frontit. U vra në pritë nga Asllan Lici dhe Pal Mëlyshi, më 10 nëntor 1946, në Reç. Më 16-30 qershor 2004 u bë rivarrimi i eshtrave të tij në varrezën e Rrmajit në Shkodër. Markus W. E. Peters, Përballjet e historisë së kishës katolike në Shqipëri: 1919-1996, Qendra Botuese Shoqata Jezuite «Ylber», Tiranë 2010, f. 157-168; Dr. Pjetër Pepa, Tragjedia dhe lavdia e klerit katolik në Shqipëri, Vol. I, Shtëpia Botuese «55», Tiranë 2007, f. 659-660; Kastriot Dervishi, Historia e Frontit Nac-Çlirimtar, në «55».

Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI VI
Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit

[cite]