PRENNUSHI Dom Luigj
(Person i dënuar nga regjimi komunist)

Meshtar katolik, Martir i Kishës, i Lumë. Lindi në Shkodër, më 24 janar 1896. Që nga klasa e parë e fillores e derisa u shugurua meshtar (1906-1921), studioi në seminare të ndryshme të Piemontes, në kolegjet Skarnafacio e Sarvano. U shugurua meshtar më 12 mars 1921. Pas kthimit në Shqipëri, shërbeu si famullitar në dioqezën e Sapës e të Shkodrës: në Mazrek, Nënshat, Shllak, Dardhë (Pukë), Koman, Dush e, së fundi, në Shelqet e Kaçë-Naraç. U arrestua në Naraç, më 8 dhjetor 1946, si «spiun i Vatikanit» dhe «strehues diversantësh». Për të terrorizuar popullsinë, u pushkatua në Shelqet, në sy të fshatarëve, më 24 janar të vitit 1947. Vdiq «in odium fidei» (në urrejtje të fesë). Në maj 1992 u gjetën eshtrat e tij, që u rivarrosën në varrezën e Rrmajit në Shkodër. Në vitet 2002-2010, u zhvillua Hetimi Dioqezan i Shkodrës, që mblodhi provat për martirizimin e tij dhe të 37 sivëllezërve meshtarëve e ipeshkëvinjve të tjerë, dhe më 26 prill të vitit 2016, u shpall Martir i Kishës. Gjashtë muaj më vonë, më 5 nëntor 2016, në Katedralen e Shkodrës u zhvillua kremtimi solemn i Lumnimit të tyre. Katër ditë më vonë (9 nëntor 2016), Presidenti i Republikës i dha dekoratën e lartë të «Flamurit të Kombit». http://www.kishakatolikeshkoder.com/ martiret-e-komunizmit/dom-luigj-prendushi/; «Fjala e Paqes», Lajmëtar fetaro-kulturor i Arqipeshkvisë Metropolitane Shkodër- Pult, nr. 6 (131), viti XVIII, tetor-nëntor 2016, f. 2-10; Dr. Pjetër Pepa, Tragjedia dhe lavdia e klerit katolik në Shqipëri, Vol. I, Shtëpia Botuese «55», Tiranë 2007, f. 745-746.

Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI VI
Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit

[cite]