PRENNUSHI o.f.m. Atë Mati

PRENNUSHI o.f.m. Atë Mati
(Person i dënuar nga regjimi komunist)

Meshtar françeskan, Martir i Kishës, i Lumë. Lindi më 2 tetor të vitit 1882, në Shkodër. Pas mësimeve të para në vendlindje, ndoqi të mësmet në Kolegjin e Troshanit, ku dhe iu kushtua urdhërit të Shën Françeskut. Vazhdoi edhe dy vjet studime përgatitore për të lartat në Bosnjë dhe në vitin 1904 kreu studimet teologjike në Grac të Austrisë. Më 4 prill 1904 u shugurua meshtar. Jep për pak muaj mësim në Kuvendin e Françeskanve të Shkodres, pastaj dërgohet meshtar në Kastrat, ku përfshihej edhe Bajza. Që këtu dërgohet në Traboin, Gerçë, Laç të Kurbinit, Iballe të Pukës dhe në Gomsiqe në vitin 1928, në Tiranë më 1941, në Shkodër më 1943. Në qershor të vitit 1944 zgjidhet Provincial i Françeskanve të Shqipërisë, me qendër në Kuvendin e Gjuhadolit në Shkodër. Vrasja e Atë Lekë Lulit, të angazhuar në Luftën NacionalÇlirimtare me Organizatën e Legalitetit dhe veshja e figurës së tij me motive të ndryshme nga e vërteta, e detyruan Atë Matinë t’i urdhëronte të gjithë famullitarët të mos merreshin me poltikë. U arrestua në fillim të vitit 1948, bashkë me prelatë të tjerë. Gjyqi kundër tyre u zhvillua më 11 mars 1948, në mensën e Kuvendit. U pushkatua më 11 mars 1948, në ora 5. 00, në Zallin e Kirit, pranë varrezave të Rrëmajit. Vdiq «in odium fidei» (në urrejtje të fesë). Në vitet 2002-2010, u zhvillua Hetimi Dioqezan i Shkodrës, që mblodhi provat për martirizimin e tij dhe të 37 sivëllezërve meshtarëve e ipeshkëvinjve të tjerë, dhe më 26 prill të vitit 2016, u shpall Martir i Kishës. Gjashtë muaj më vonë, më 5 nëntor 2016, në Katedralen e Shkodrës u zhvillua kremtimi solemn i Lumnimit të tyre. Katër ditë më vonë (9 nëntor 2016), Presidenti i Republikës i dha dekoratën e lartë të «Flamurit të Kombit». «Fjala e Paqes», Lajmëtar fetaro-kulturor i Arqipeshkvisë Metropolitane Shkodër- Pult, nr. 6 (131), viti XVIII, tetor-nëntor 2016, f. 2-10.

Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI VI
Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit

[cite]