PRENNUSHI o.f.m. Imzot Vinçenc

PRENNUSHI o.f.m. Imzot Vinçenc
(Person i dënuar nga regjimi komunist)

Klerik i lartë katolik, drejtor i shtypshkronjës françeskane, drejtor i Kolegjit Françeskan, Guardjan i Kuvendit, drejtor i «Bijave të Marisë», drejtor për gati njëzet vjet i revistës «Zâni i Shna Ndout», Provincial i Françeskanëve (1926-1936), Ipeshkëv i Sapës (1936-1940), Kryeipeshkëv i Durrësit (1940), Primat i Kishës, poet, folklorist, përkthyes, Martir i Kishës, i Lumë. Lindi në Shkodër më 4 shtator të vitit 1885. Më 4 tetor 1900, u fut në Urdhërin Françeskan. Noviciatën e kreu në Seminarin e Vogël të Troshanit. Studimet e larta për filozofi e teologji i kreu në Innsbruck (Austri). Më 19 mars 1908 u shugurua meshtar. Meshën e parë e tha më 25 mars të po atij viti. I magjepsur nga folkori i Shqipërisë së veriut, Prennushi nisi të mbledhë këngë popullore nga kjo trevë. Përmbledhja e këtij materiali folklorik u botua nga arkeologu dhe historiani austriak Karl Paç (1865–1945) në vëllimin Kângë popullore gegnishte (Sarajevë 1911). Në vitin 1924 botoi në Shkodër një vëllim me poezi lirike në gegnisht, me titullin Gjeth e lule, i cili u ribotua më 1931. Deri në vitin 1936 ushtroi detyra të ndryshme: drejtor i shtypshkronjës françeskane, drejtor i Kolegjit Françeskan, Guardjan i Kuvendit, dy herë drejtor i «Bijave të Marisë» te Stigmatinet dhe dy herë provincial i françeskanëve në vitet 1926-1936. Më 27 janar 1936, Papa Piu XI e emëroi ipeshkë të Sapës; u shugurua më 19 mars të po atij viti, bashkë me Gaspër Thaçin [shih]. Katër vjet më vonë, më 26 qershor 1940, u emërua kryeipeshëkv i Durrësit, duke u bërë kësisoj një nga dy dinjitarët më të lartë të Kishës Katolike në Shqipëri. Pas vdekjes së Imzot Gaspër Thaçit, ushtroi dhe funksionet e primatit katolik të Shqipërisë. Më 19 maj të vitit 1947 u arrestua nga Sigurimi. Në nëntor, Ministria e Brendshme organizoi një gjyq të rremë, ku Imzot Prennushi u dënua me njëzet vjet burg. Vdiq në spitalin e burgut të Durrësit, më 19 mars 1949, sipas Arshi Pipës [shih], shokut të tij të qelisë, «mbasi ishte torturuar në mënyrën më të dhimbshme, duke e rrokullisur në një pëlhurë të mbushur me gjilpëra, derisa sipërfaqja e trupit ishte çjerrë». U varros në kishën e Durrësit, por më 1967 eshtrat e tij u zhvarrosen dhe, tinëz, u bartën në varrezën e qytetit. Vdiq «in odium fidei» (në urrejtje të fesë). Në vitet 2002-2010, u zhvillua Hetimi Dioqezan i Shkodrës, që mblodhi provat për martirizimin e tij dhe të 37 sivëllezërve meshtarëve e ipeshkëvinjve të tjerë, dhe më 26 prill të vitit 2016, u shpall Martir i Kishës. Gjashtë muaj më vonë, më 5 nëntor 2016, në Katedralen e Shkodrës u zhvillua kremtimi solemn i Lumnimit të tyre. Katër ditë më vonë (9 nëntor 2016), Presidenti i Republikës i dha dekoratën e lartë të «Flamurit të Kombit». Vepra: Rrënimet e Jeruzalemit (1904, dorëshkrim që humbi në rrënojat e tërmetit të vitit 1905), Kângë popullore gegnishte (botuar nga arkeologu dhe historiani austriak Karl Paç, Sarajevë 1911), Prej robnije në liri (dramë, Shkodër 1914), Grueja shqiptare, (romanzë, Shkodër 1918); Gjeth e lule (poezi, Shkodër 1924, 1931), Lumnít e Kalvarit e dhunít e paganizmit (Shkodër 1925); Sh’ Françesku i Asizit (agjiografi, 1927), Fjala e Zotit (1928), Prej robnije në lirí (dramë, Shkodër 1931); Foglie e fiori (Bari 1993). Përkthime: T. A. Rolando, E trathtuemja (dramë, Shkodër 1919); Henrik Shenkieviç, Quo vadis (roman, Shkodër 1933); Nikolas Uajzmen, Fabiola (roman, 1924-1925); Fridrih Vilhelm Veber, 13 blirët (Driezehnlinden, poemë epike); Silvio Peliko, Le mie prigioni (kujtime të poetit dhe dramaturgut italian S. Peliko); Dante, Kënga XI e Parajsës; Fenelon, Telemaku n’udhtim (fragmente); Shatobrian, prologu i Atala-së. Markus W. E. Peters, Përballjet e historisë së kishës katolike në Shqipëri: 1919-1996, Qendra Botuese Shoqata Jezuite «Ylber», Tiranë 2010, f. 311; Robert Elsie, Histori e letërsisë shqiptare, «Dukagjini», Tiranë-Pejë 1997, f. 320-322, «Fjala e Paqes», Lajmëtar fetaro-kulturor i Arqipeshkvisë Metropolitane Shkodër- Pult, nr. 6 (131), viti XVIII, tetor-nëntor 2016, f. 2-10.

Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI VI
Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit

[cite]