Kontuzioni i Trurit
(Term neurologjik – Mjekësia)
Kontuzioni i trurit paraqet dëmtim të parenkimës së trurit. Në krahasim me commotio, shfaqen periudha shumë më të gjata të humbjës së vetëdijës dhe amnezive retro- dhe anterograde, pacienti mund të mos kujtojë asgjë për një periudhë disa ditësh para dhe pas kohës së aksidentit. Ekzaminimi në fazën akute tregon deficite neurologjike, të cilat mund të persistojnë. Anosmia reziduale është e shpeshtë. CT dhe RM shfaqin fokuse të kontuzionit ose hemoragjive intrakraniale si hematoma akute epidurale. Lëndimet parenkimale mund të gjenden direkt nën hapësirën e goditur nga jashtë (lëndimet „coup“) ose në lokacionin diametrikisht të kundërt të trurit („contrecoup“). Lëndimet „contrecoup“ vijnë si pasojë e forcës të dhunshme që çrregullon indin nga njëra anë në tjetrën në momentin e lëndimit. Gjetjet patoanatomike tek kontuzioni i trurit përfshijnë nekrozë iskemike dhe hemorragji të indit, hemorragji të vogla, shqyerje të indit truror dhe enëve të gjakut si dhe edemë sekondare. Kontuzioni i madh i truri, hematomat ekstenzive traumatike dhe edema e asociuar sekondare mund të shkaktojnë shume shpejt rritje të shtypjës intrakraniale që shpien në kompresion të trurit dhe herni të mesencefalonit dhe diencefalonit përmes vrimës tentoriale dhe/ose të medullës përmes foramen magnum. Shenjat e hernisë të trungut truror janë çrregullim progresiv i vetëdijës deri në komë, pupillë të dilatuar, fillimisht vetëm në anën e lezionit ekspanziv, spazma fleksore më vonë edhe ekstenzore dhe në fund humbje e funksioneve autonome (frymëmarrje, temperaturë, aktivitet kardiak, tonusit vaskular), pupilla bilaterale të fiksuara dhe dilatuara dhe vdekje. Terapia përfshinë ngritje të kokës së pacientit, hiperventilimi, osmoterapi, kraniektomi. Studimet e fundit kanë treguar rezultat me hipotermi terapeutike ku pacienti ftohet në 34°C.
Portali — Neurologjia
Portali — Mjekësia