(Person i dënuar nga regjimi komunist)
Veprimtar politik, gazetar, përkthyes. Sado që familja Ajazi është nga fshati Prezë i Tiranës, Beqiri lindi më 20 korrik 1920 në Dibër të Madhe, ku ndodhej atë vit familja e tij. Kreu Liceun e Korçës. Në tetor të vitit 1943 filloi punë si sekretar i tretë në Ministrinë e Kulturës Popullore, redaktor në ATSH dhe, që prej majit 1944, edhe redaktor në «Bashkimi i Kombit». Mori pjesë në Kongresin e Legalitetit të zhvilluar në Herr të Tiranës, më 1943. Është një prej të burgosurve të parë politikë në Shqipërinë komuniste. U arrestua më 21 nëntor të vitit 1944. Më 29 maj 1945, Gjykata Ushtarake e Tiranës e dënoi me vdekje, si dhe konfiskim të pasurisë për «krime lufte». Më vonë dënimi iu ul në 15 vjet heqje lirie, të cilat i vuajti nëpër kampe e burgje të ndryshme. Dhjet vjet të tjera i kaloi në internim. Më 10 maj 1946, Komiteti Ekzekutiv i Këshillit Popullor të Nënprefekturës së Shijakut urdhëroi sekuestrimin e të gjithë pasurisë së tij, të tundshme e të patundshme. Në vitin 2002, Shteti Francez e dekoroi me titullin e lartë «Kalorës i Urdhrit të Meritës». Vepra: «Nga Shkaba me kurorë tek Drapri me çekan» (kujtime, 2000, 2007), «Nuk m’u nda burgu i Burrelit» (kujtime, 2002), «Sure Ajazi, ky kreshnik i kohës sonë» (kujtime, 2005), «Kush ishte Enver Hoxha» (2007) etj. Përkthime: «Tristani dhe Izolta», «Spastrimi etnik», «Henrieta», «Lufta e pashenjtë » etj. AISKK, F. 1, V. 2012, D. 1, Fl. 268; Gazeta Zyrtare, nr. 73, 6 gusht 1946, f. 5.
Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI I
● Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit