(Person i dënuar nga regjimi komunist)
Klerik musliman, drejtor i Medresesë së Filatit, veprimtar për çlirimin kombëtar. Lindi më 31 mars të vitit 1860, në fshatin Lopës të rrethit të Filatit, në Çamëri. Pasi mbaroi shkollën 5-vjeçare në fshatin e lindjes, u regjistrua në medresenë e Filatit. Me të mbaruar medresenë, u regjistrua në Universitetin e Stambollit, ku kreu Fakultetin e Teologjisë dhe të Drejtësisë (1893-1899). Studimet pasuniversiatre i përfundoi në Universitetin «El Ez’her» të Kajros. Më 1904 u kthye në vendlindje, ku për tre vjet punoi si drejtor i medresesë së Filatit dhe më vonë si kryetar i Bashkësisë Islame të Çamërisë. Më 27 nëntor 1912 ngriti flamurin shqiptar në Filat. Mes viteve 1920-1927 punoi në ambasadën turke në Athinë, nga ku i dërgoi një letër të hapur mbretit Jorgo të Greqisë, ku mbronte të drejtat e popullsisë shqiptare nga terrori grek. Më 1929 u arrestua nga autoritetet greke dhe u dënua me 15 vjet burg si «kundërshtar i hapur i regjimit grek». Nga viti 1941 deri më 1943 u internua në ishullin e Medelinit. Më 1945 u dëbua së bashku me familjen në Shqipëri: fillimisht u vendos në Kavajë, pastaj për tre vjet në Elbasan e më vonë në Shijak. U arrestua në vitin 1948 «për krime ndaj popullit grek». U lirua më 1951. Vdiq një vit më vonë, më 14 prill të vitit 1952, në moshën 92 vjeçare. 100 personalitete shqiptare të kulturës islame: shekulli XIX-XX, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Tiranë, 2012, f. 134-135.
Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI I
● Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit