BEJKO Dervish
(Person i dënuar nga regjimi komunist)

Lindi në vitin 1946, në Pogradec. U dënua më 1971 nga Gjykata e Elbasanit për «përgatitje arratisjeje». Është një nga të dënuarit me vdekje të revoltës së Spaçit, që shpërtheu më 21 maj të vitit 1973. Më 24 maj, ende sa pa përfunduar përleshja midis të dënuarve dhe forcave të policisë, Gjykata e Lartë, që shprehte verdiktin e Këshillit Gjyqësor të Kolegjit Penal, bëri të ditur se Skënder Daja [shih], Dervish Bejko, Naim Pashaj [shih] e Pal Zefi [shih], shpallen fajtorë për pjesëmarrjen në një organizatë kundër pushtetit popullor me qëllim krimin e sabotimit ekonomik, ndaj dhe i dënoi me vdekje me pushkatim. Edhe pse të dënuarit kërkuan mëshirë, Presidiumi i Kuvendi Popullor refuzoi kërkesën e tyre dhe ata u pushkatuan po atë ditë. Për të tmerruar të burgosurit, pushkatimi u krye në kamp. Pastaj trupat u sollën në Tiranë për kadavër, por meqë nuk kishte nevojë, i varrosën në rrugën Elbasan-Tiranë, në afërsi të vendit ku ka filluar tuneli i rrugës në fjalë. Gazeta «Panorama», 2 maj 2011; Bedri Blloshmi, Rrëfime nga ferri komunist, Tiranë, 2011, f. 494.

Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI I
Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit

[cite]