(Person i dënuar nga regjimi komunist)
Teolog dhe shkrimtar (Tiranë 1878 – shkurt 1952). Lindur në një familje të vjetër tiranase. U diplomua në degën teologji filozofi në Stamboll. Atje mori pjesë në lëvizjen për çështjen kombëtare, rrëfyer prej tij në librin Patriotizma në Tiranë. Në vitin 1901 emërohet “imam” i qytetit dhe mësues në shkollën fillore të Tiranës drejtuar nga Filip Ashiku. Më 1908 hapi shkollën për mësuese të vajzave, anëtar i Partisë Bashkimi që aspironte për mëvehtësi kombëtare në kohë të shpalljes së Kushtetutës (Hyrjetit). 1909: Hafiz Dalliu zgjidhet delegat i Tiranës në Kongresin e Elbasanit, ku u mor vendimi për hapjen Shkollës Normale dhe emërimin e tij si mësues. 1909-1911: arrestohet disa herë nga regjimi osman- iu sekuestruan materialet didaktike dhe shtypi patriotik në gjuhën shqipe, pas një kontrolli në xhami. I gjetën literaturë komprometuese në gjuhën shqipe, si revistën Albania dhe fletoren Trumpeta e Krujës të Konicës etj. Hafiz Dalliu e shfrytëzoi mjedisin fetar si shkollë ku u mësonte të vegjëlve gjuhën shqipe sipas alfabetit latin sipas vendimit të Kongresit të Alfabetit. E burgosin në Manastir dhe në kështjellën e Selanikut, ku e lidhin me zinxhirë të akuzuar si “hoxha kaur” për arsyen e përhapjes së shkrimit shqip (me shkronja latine) te nxënësit e Tiranës. Lirohet nga burgu me ndërhyrjet e patriotëve Hasan Prishtina, Mihal Grameno. Pjesmarrës me armë në dorë në çetën e Serisalltikut të Krujës. 1911: Tiranë. Ndalohet nga policia dhe ndëshkohet me rrahje publike para sheshit që të heqë dorë nga aktiviteti patriotik. Pas vitit 1912 drejtoi gazetën Dajti. Kultivon idetë e reja politike me satirat shkruar me vargje popullore. 26 nëntor 1912: pjesmarrës në ngritjen e flamurit kombëtar në 26 nëntor 1912 në Tiranë, sipas porosisë së Ismail Qemalit. 1914-1918: aspiroi për një Qeverisje Perëndimore dhe përkrahu qeverinë e Vidit. Kundërshtoi lëvizjen e Haxhi Qamilit. 1918-1924: përpos veprave satirike që patën një përhapje në masë dhe rritën vëllimin e prodhimit letrar si Grenxat e kuqe, Dokrrat e hinit, boton edhe vjershën politike Kreshniku i atdheut.1924: Hafiz Ibrahim Dalliu përkrahu politikën e Nolit në mënyrën e tij: duke shkuar një elegji për Avni Rustemin. 1930: boton veprën e njohur monografike Patriotizma në Tiranë, duke sjellë dëshmi të përndjekjes në kohën e Turqisë, duke ndriçuar rolin e patriotëve Tiranas në Pavarësinë e vendit. 1931-1934: mori anën e demokratëve dhe u radhit në Partinë e Xhokës. 1945: emërohet mësues në Medresenë e Përgjithshme të Tiranës ku përgatit brezin e ri të besimtarëve. 24 shkurt 1948, me vendim nr. 67, Gjykata e Tiranës e dënoi «për faje penale kundër popullit e shtetit – agjitacion e propagandë», me 5 vjet burg, konfiskimin e pasurisë dhe humbjen e të drejtave civile për 3 vjet. Më 25 shtator 1947, Plenumi i Gjykatës së Lartë e prishi vendimin nr. 67, sepse çështja ishte pushuar, nga Gjykata e Lartë, më 31 maj 1948, me vendim nr. 237. Torturohet për tre muaj, pa marrë parasysh thirrjen dhe moshën e Hafiz Ibrahim Dalliut, derisa e nxjerrin të gjymtuar nga burgu. Ndërron jetë në shkurt 1952. Petrit Kusi: “Hafiz Ibrahim Dalliu dhe vepra e tij – “Patriotizma në Tiranë” në librin: Patriotizmi në Tiranë, ribotim nën kujdesin e Shoqatës Tirana, Imazh, Tiranë, 1995, f. 5-10; 100 personalitete të kulturës islame (shekulli XIX-XX), Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, red. Genti Kruja, Tiranë 2012, f. 80-83.
Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI II
● Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit