(Person i dënuar nga regjimi komunist)
Lindur më 1936 në Shkodër. Nipi i Lin Delisë. Me arratisjen e Linit më 1948, (piktor i shquar themelues i një akademie pikture në Antrodoco, Itali) familja e vëllait internohet më 1949. Bashkë me gruan Luçie dhe fëmijët: Ndoka (16 vjeç), Aleksandri (13 vjeç), Angjelina (7 vjeç), morën rrugën e internimeve. Familja e Aleksandrit për disa muaj qëndron në Kuçovë me familjet e Caje Dërgutit me djemtë, Lajde Shllakut me fëmijët, mandej dërgohet në Turan të Beratit. Gjatë udhëtimit për në Berat rrëzohet kamioni, vdiqën burrë e grua dhe një foshnjë e familjes Petrela. Në kazermën e Turanit flinin të gjithë për tokë, gra, pleq, vajza, fëmijë. Aty vatrat e infeksionit ishin të padurueshme. Malësorëve nuk u përshtatej fare ajo klimë dhe mirditasit vdisnin njëri pas tjetrit. I pajisur me talent natyror për pikturë, nipi i Lin Delisë të madh, përpiqet të konkurojë në Akademinë e Arteve por është e pamundur. Aleksandër Delia, cit. sipas Fatbardha Saraçi (Mulleti): Kalvari i grave në burgjet e komunizmit, [bot. i dytë]: ISKK, Tiranë 2013, (intervistë: Aleksandër Delia 70 vjeç) f. 128-131.
Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI II
● Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit