(Person i dënuar nga regjimi komunist)
Jurist, disident (Dibër 1912 – Tiranë 3 korrik 1946). Data e ekzekutimit 7/3/1946. Kreu Liceun Francez në Korçë, i diplomuar në Paris për jurisprudencë. Punoi si specialist në Ministrinë e Jashtëme. Kryetar i grupimit opozitar Bashkimi Demokrat Shqiptar që mori pjesë në zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945, krijuar si shkrirje e tri grupimeve: atij të Legalitetit (përfaqësuar nga Q. Dibra), i rezistencës (S. Qeribashi) dhe atij socialdemokrat (M. Kokalari). Ky grupim opozitar zgjodhi si zë publik shkrimtaren e njohur Musine Kokalari, e cila i dorëzoi një memorandum shefit të misionit ushtarak britanik Palmer, për ndërhyrje të misioneve anglo-amerikane pranë Enver Hoxhës për garantimin e zgjedhjeve të lira demokratike. Programi demokratik i këtij grupimi ishte: legalizimi i opozitës, rivendosja e pluralizmit politik, respektimi i të drejtave të njeriut, zgjidhja e çështjes së Kosovës me plebishit në bazë të Kartës së Atlantikut etj. 1946: Dibra dhe bashkëpunëtorët e tij, bashkërenduan veprimin duke u ndërlidhur në Peshkopi me organizatën Bashkimi Demokratik krijuar nga Edip Tërshana [shih] dhe me deputetët e Shkodrës pjesmarrës në L.N.Ç. që do të goditeshin më pas. U dënua më 17 qershor 1946 bashkë me 37 intelektualë të tjerë, në gjyqin special kundër partisë Bashkimi Demokrat Shqiptar, si pjesë e grupimit opozitar që mori pjesë në zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945. Me goditjen dhe shpërbërjen e këtij grupimi, përfundon etapa e legalizmit opozitar, në Shqipëri. Me vendim të formës së prerë, masa e dënimit kapital ndaj Qenan Dibrës dhe 9 bashkëpunëtorëve, u zbatua më 3 korrik 1946. Uran Butka: Kryengritjet e para kundërkomuniste, ISKK, Tiranë 2013, f. 175; Agim Musta, Libri i zi i komunizmit shqiptar, Naim Frashëri, Tiranë 2007, f. 159-169
Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI II
● Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit