(Person i dënuar nga regjimi komunist)
Shkrimtar, kritik letrar, pedagog, publicist. Lindi në Shkodër, më 6 mars të vitit 1922. Kreu Gjimnazin e Shkodrës, ku ra në kontakt me idetë komuniste. U arrestua më 1938, në moshën 15-vjeçare dhe u lirua një vit më vonë, më 1939. Dy vjet më vonë, u burgos në Mbreshtan. Në vitet 1941- 1943 ndoqi studimet për Jurisprudencë në Firence të Italisë. Më 1945 punoi si mësues i letërsisë, ekonomisë politike dhe drejtësisë në Tiranë, në institutin «Donika Kastrioti», e Shkodër, në Lice a Gjimnaz; më vonë në Ministrinë e Arsimit e Kulturës për hartimin e teksteve shkollore. Më 1944, së bashku me Myzafer Pipën, themeloi në Tiranë të përmuajshmen kulturoro-letrare «Fryma». U arrestua më 1946, pas lëvizjes së Postribës, prej nderimit që gëzonte ndër intelektualët e kohës. Vdiq në burg nga torturat, më 10 tetor 1947. Pjesa më e madhe e veprës së tij u dogj e u asgjësua nga regjimi: familja e tij mundi të shpëtojë fare pak pjesë të kësaj vepre, e cila u botua më 1995 nga Muzeu Historik i Shkodrës me titullin Era. Më 1992, Presidenti i Republikës e dekoroi me medaljen «Martir i Demokracisë». Më 2008, Këshilli Bashkiak i Shkodrës i dha titullin «Qytetar Nderi». «Fjalor Enciklopedik Shqiptar», 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2008; Nexhmi Bushati, Qemal Draçini, kush ishte sekretari 16-vjeçar i Fishtës, 28. 11. 2011; Era, Muzeu Historik i Shkodrës, Shkodër, 1995
Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI II
● Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit