FAUSTI Atë Gjon (Giovanni)

FAUSTI Atë Gjon (Giovanni)
(Person i dënuar nga regjimi komunist)

Klerik katolik. Lindi më 19 tetor 1899, në Brozzo të Val Trompia-s, Brescia (Itali). Studimet e mesme i kreu pranë Seminarit Ipeshkvnor të Brescia-s dhe Seminarit Papnor Lombardo në Romë (1919-1922). U laurua për filozofi në Universitetin e Romës dhe për teologji në Universitetin Papnor Gregorian. Në vitin 1929, u dërgua në Shkodër si profesor në Seminar. U detyrua të kthehej në atdhe në vitin 1932 për arsye shëndetësore; dhjetë vjet më vonë u rikthye në Shqipëri si rektor i Seminarit Papnor të Shkodrës dhe si zëvendës provincial i jezuitëve për Shqipërinë. U arrestua më 31 dhjetor 1945 së bashku me Atë Daniel Dajanin S.J. [shih]. Të dy u akuzuan se kishin ndihmuar për formimin e një grupi rezistence kundër komunizmit, brenda në Seminar. Më 22 shkurt 1946, u dënua me vdekje dhe u pushkatua më 4 mars të po atij viti. Është autor i shumë punimeve shkencore, ndër të cilat po përmendim: «Islamizmi në dritën e mendimit të krishterë» (Romë, 1943), «Teoria e abstraksionit» (Padova, 1947) etj. Pjetër Pepa, Dosja e diktaturës, Tiranë, 2009, F. 45.

Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI II
Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit

[cite]