(Person i dënuar nga regjimi komunist)
Arkeolog, prehistorian. U lind më 2 nëntor të vitit 1935, në Shkodër. Studimet e larta për arkeologji i kreu në Shën Pjetërburg. Në fillim të viteve ’60-të drejtoi gërmimet në qedrën e fortifikuar parahistorike të Gajtanit. Në këto vite interesi kërkimor i tij përfshiu edhe disa vendbanime të Shqipërisë juglindore, si ai i Kamnikut në Kolonjë dhe, veçanërisht, varrezat tumulare të Shqipërisë veriore, si ato në Krumë, Çinamak, Kënetë (të Kukësit), Shkrel dhe Shtoj. U arrestua më 1976, dhe më 29 korrik të po atij viti, me vendim nr. 58, Gjykata e Rrethit të Tiranës e deklaroi fajtor për «agjitacion e propagandë» dhe vendosi mbylljen e të pandehurit në një institucion mjekësor për kurim të detyruar. Vdiq në Tiranë, më 7 janar 2014. Vepra: «Ilirët dhe gjeneza e shqiptarëve» (1969, Universiteti Shtetëror i Tiranës), «Bibliografi e arkeologjisë dhe historisë së lashtë të Shqipërisë (1945- 1971)» (Tiranë, 1972), «Iliria. Studime dhe materiale arkeologjike, Vol. I./ Etudes et materiaux archeologiques» (bashkëautor, Tiranë, 1971) etj. F. 1, V. 2014, D. 14, f. 36-37.
Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI IV
● Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit