(Person i dënuar nga regjimi komunist)
Klerik katolik, etnograf e folklorist. U lind më 17 maj të vitit 1896, në fshatin Guri i Zi. U përgatit në mesin e jezuitë, duke ndjekur ndër ta të gjitha ciklet shkollore, derisa u shugurua meshtar, më 29 maj 1920. Në Urdhrin e Jezuitëve u pranua në Goricia të Italisë, ku kish vajtur për të thelluar studimet teologjike. Shërbeu në Tiranë (1932) e Shkodër, si zëvendësdrejtor i Kolegjës Saveriane (deri më 1935). Por kontributin më të çmuar e dha gjatë shtegtimeve me Misionin Shëtitës të etërve jezuitë në malësitë e Veriut, gjatë të cilëve shkroi relacione me vlera të mëdha njohëse për historinë e këtyre trevave, të cilat u botuan në vjetarin e jezuitëve «Lettere Edificanti». Atë Karma njihet edhe për mbledhjen e thesareve të kulturës popullore: zakoneve, gjuhës, këngëve popullore, toponomastikës, aforizmave etj., të cilat i botoi në revistat «Lajmëtari i Zemrës së Krishtit» dhe «LEKA» e që më vonë i përmblodhi në veprën «Ndër malet tona» (1940). U arrestua më 11 dhjetor të vitit 1946, me pretekstin e zbulimit të «armëve në kishën» e françeskanëve në Shkodër, bashkë me Imzot Frano Gjinin [shih], Imzot Nikoll Dedën [shih], Atë Mati Prendushin [shih], Atë Çipirian Nikajn [shih], Atë Pal Dodajn [shih], Dom Tom Lacën [shih], Dom Ndoc Sahatçinë [shih], Dom Nikoll Shelqetin [shih], Atë Mhill Mirajn [shih], Fra Zef Pllumi [shih] etj. Nuk dihet me siguri as kur vdiq (me gjasë më 1975), as ku u varros.
Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI IV
● Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit