(Person i dënuar nga regjimi komunist)
Nacionalist, pjesëtar i Ballit Kombëtar. U lind në Tiranë, më 9 korrik të vitit 1917. Ishte djali i vetëm i Abdulla Kazazit e Hatixhe Hutës. Shkollën fillore e kreu në Tiranë, kurse të mesmen në Gjimnazin e Shkodrës. Mori pjesë në protestat e demostratat e organizuara në qytetin e Shkodrës e të Tiranës kundër pushtimit italian të vendit. Në shtator 1939, u regjistrua në universitetin «La Sapienza» në Romë, dega farmaci. Në verën e vitit 1942 u kthye për pushimet verore dhe vendosi t’i ndërpresë studimet, për t’iu përkushtuar luftës kundër pushtuesve në radhët e Ballit Kombëtar. Kontribuoi në shtypin e kësaj organizate, si dhe në organizimin e rezistencës antifashiste në Tiranë. Me mbarimin e luftës dhe ardhjen në pushtet të komunistëve, nisi kalvari i vuajtjeve të tij. Më 14 nëntor 1944, komunistët e arrestuan si aktivist të Ballit Kombëtar dhe si antikomunist; u burgos e u internua për mbi 40 vite të jetës së tij. Me rënien e komunizmit, u zgjodh kryetar i Shoqatës së të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë. Më 1992, Presidenti i Republikës e dekoroi me medaljen «Pishtar i Demokracisë». Më 1997, u nderua me titullin «Qytetar Nderi i Shkodrës», dhe një vit më vonë, «Qytetar Nderi i Tiranës». U dekorua edhe nga Vatikani me Medaljen e Artë «Joannes PP II», si dhe «Për merita në shërbim të njerëzve» nga qyteti i Veronës. Vdiq më 3 mars të vitit 1999.
Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI IV
● Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit