KODA o.f.m. Atë Serafin

KODA o.f.m. Atë Serafin
(Person i dënuar nga regjimi komunist)

Klerik katolik. U lind më 25 prill të vitit 1893, në Janjevë të Kosovës. Në Urdhrin e Fretërve të Vegjël hyri në vitin 1909. Sipas traditës së tyre, mori emrin Serafin. Studimet e larta i kreu në Austri. Meshën e parë e kremtoi më 30 korrik 1925. Shërbeu në shumë famulli të Shqipërisë, si në Dushman, Shalë, Prekal, Bushkash, Vukël, Kelmend dhe, në fund, në Dioqezën Lezhës. Këtu, në maj 1947, u arrestua si kundërshtar i regjimit, pas një takimi që bënë françeskanët për arsye ekonomike. U veçua i lidhur në një nga dhomat e kuvendit, ku u torturua çnjerëzisht. Mesnatën e 11 majit 1947, i rënduar nga plagët, u përmend vetëm për disa minuta. Sivëllezërit e tij klerikë e morën për ta çuar në infermieri, por rrugës ai vdiq. U varros fshehurazi nën një ulli të oborrit të kuvendit, ku dhe u gjetën eshtrat e tij më 16 shtator 1994. U varros në muret e kishës françeskane të Zojës Nunciatë në Lezhë. Gjeto Turmaj, Atë Serafin Koda O. F. M., në «Jeta Katolikë», nr. 1, V. 2009.

Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI IV
Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit

[cite]