KOKALARI Musine
(Person i dënuar nga regjimi komunist)
Shkrimtare, veprimtare politike. Lindi më 1917, në Adana, Turqi. Në vitin 1921, familja e saj kthehet në Shqipëri dhe vendoset në Gjirokastër dhe më 1930 familja e saj vendoset në Tiranë. Në vitin 1937, mbaroi shkollën e mesme “Nëna Mbretëreshë”. U diplomua për letërsi në Universitetin e Romës (Itali, 1941). Punimi i saj i diplomës për poetin Naim Frashëri është ndoshta studiumi më i mirë për këtë autor. Më 1939, botoi librin e saj të parë “Seç më thotë nëna plakë”. Më1943, M. K. së bashku dhe me disa shokë të tjerë formoi Partinë Socialdemokrate. Më 1944 nxori botoi gazetën “Zëri i Lirisë” dhe librin e dytë të saj, “Rreth vatrës”. Më 12 nëntor 1944 komunistët i pushkatuan vëllezërit e saj, Muntaz e Vesim Kokalari. Katër ditë më vonë e arrestuan dhe Musinenë, të cilën e mbajtën 17 ditë në burg. Në janar të vitit 1945, u botua libri i tretë “Sa u tund jeta”. Më 23 janar 1946, u arrestua për së dyti nga forcat e Mbrojtjes së Popullit. U dënua me 20 vjet burg. Në vitin 1961, u lirua dhe u internua në Rrëshen, ku jetoi deri në fund të jetës. Më vitin 1981, sëmuret nga kanceri, vdiq më 1983. Vuajti gjithsej 15 vjet burg dhe 22 vjet internim. Më vitin 1993, Presidenti i Republikës i dha pas vdekjes medaljen “Martir i Demokracisë”. Pjetër Pepa, Dosja e Diktaturës, (Botimet KUMI: Tiranë, 2009) 83.
Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI IV
● Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit