(Person i dënuar nga regjimi komunist)
Gazetar. U lind në Durrës, në vitin 1933. Kreu uniken «29 Nëntori» dhe gjimnazin «16 Shtatori». Studimet e larta për gazetari i kreu në Universitetin e Leningradit. Pas përfundimit të studimeve, punoi si gazetar në Radio Tirana. U arrestua më 1963 dhe u dënua me vdekje, si kryetar i një grupi që kishte shpërndarë trakte dhe kish dashur t’i bënte atentat kryeministrit. Iu fal jeta me dekret te Presidiumit të Kuvendit Popullor. Më 28 nëntor 1978 u dënua për së dyti me 10 vjet burg, për një letër dërguar Komitetit Qendror të P. P. Sh.-së. Teksa vuante dënimin në kampin e Spaçit, më 23 shkurt 1979 u arrestua sërish dhe, më 18 maj të po atij viti, u dënua me vdekje (me pushkatim), si dhe humbjen e të drejtës së zgjedhjeve për pesë vjet kohë, për «krijimin dhe pjesëmarrjen në një organizatë kundërrevolucionare» dhe për «agjitacion e propagandë». Fatos Lubonja, Ridënimi, XXIV, f. 148, 156; XXXIV, f. 249; XXXV, f. 263-264, 267.
Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI IV
● Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit