KOLIQI Kardinal Mikel

KOLIQI Kardinal Mikel
(Person i dënuar nga regjimi komunist)

Klerik katolik, kardinal, muzikant, kompozitor. U lind në Shkodër më 29 shtator të vitit 1902. Shkollën fillore e nisi në Shkodër dhe e mbaroi në vitin 1911 në kolegjin «Arici» të Etërve Jezuit në Breshia të Italisë. Në Itali kreu dhe gjimnazin, pjesërisht në Monxa e pjesërisht në Bergamo e Bari. Në këtë periudhë mori vendimin për t’u bërë prift, duke lënë përgjyshëm studimet në vitin e dytë, për të vijuar studimet teologjike në seminarin «Corso di Venezia» të Milanos dhe më vonë në seminarin Vonogonos (1928-1930). Në 30 maj 1931 u shugurua meshtar në Kishën e Jezuitëve të Shkodrës, nga Arqipeshkëvi i Shkodrës Imzot Lazër Mjeda (1869-1935). Sapo mbaroi studimet, para se të kthehej në Shkodër, ku qe emëruar ndihmësfamullitar, iu drejtua Imzot Luigj Bumçit që ta dërgonte në ndonjë shkollë muzikore. Dhe me rekomandimin e Ipeshkëvit, ai u dërgua në Austri pranë një kori të famshëm. Kompozoi dhe realizoi në skenë tri melodrama me theks të fortë patriotik («Rozafa», «Rrethimi i Shkodrës» dhe «Ruba e kuqe»), si dhe rreth 40 pjesë korale. Gjatë kësaj periudhe arriti të organizonte korin e Katedrales, të cilit i vuri emrin «Scola Cantorum» (1932). Më 18 prill 1936, pas shugurimit ipeshkëv të Dom Gaspër Thaçit, u emërua famullitar i qytetit. Themeloi revistën e njohur «Kumbona e së diellës» dhe e drejtoi atë si kryeredaktor nga numëri i parë (1938), deri sa u mbyll me arrestimin e tij, më 2 shkurt 1945. U lirua katër vjet më vonë, por, pa kaluar shumë kohë, u arrestua sërish dhe u dënua me internim. Në vitin 1977, në moshën 75-vjeçare, u dënua për të tretën herë me pesëmbëdhjetë vjet burg. U lirua me amnistinë e vitit 1986. Më 31 janar të vitit 1992 iu dha titulli «Monsinjor». Pas hapjes së kishave u emërua famullitar, detyrë të cilën e dorëzoi vetë për arsye moshe. Më 28 nëntor 1994 u shugurua kardinal në Vatikan nga vetë papa Gjon Pali II (1978–2005). Vdiq më 27 janar 1997.

Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI IV
Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit

[cite]