KOVAÇI Dom Ejëll
(Person i dënuar nga regjimi komunist)

Klerik katolik. U lind më 5 prill të vitit 1920, në Hajmel të Zadrimës. Është një prej klerikëve që refuzuan të nënshkruanin Statutin e Kishës Katolike. Më 1957, pas shërbimit disavjeçar në famullinë e Komanit, u transferua në famullinë e fshatit Qelëz. Më 21 gusht 1958, u arrestua për të tretën herë, me akuzën se «…në bashkëpunim me spiunët e diversantët kanë organizuar dhe zhvilluar me qëllime terroriste natën e datës 26 nëntor 1951, brenda në kishën e katundit Qelëz, vrasjen e aktivistit të organeve të sigurimit të shtetit, shokut Mark… Ka kryer veprën e pregatitjes për t’u arratisur jashtë shtetit në bashkëpunim…». Në nëntor të po këtij viti, në sallën e kinemasë «Republika» filloi gjyqi kundër tij, dhe me vendim nr. 12, datë 10 nëntor 1958, u dënua me vdekje me pushkatim. U ekzekutua më 10 dhjetor 1958. Imzot Zef Simoni, Persekutimi i Kishës Katolike në Shqipni nga 1944-1990; Ndoc Selimi, Historia e Dom Engjëll Kovaçit, Arkivi i Ministrisë së Brendshme, Dosja 2229; AISKK, F. 1, Viti 2015, D. 27, Fl. 451-452.

Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI IV
Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit

[cite]