(Person i dënuar nga regjimi komunist)
Shkrimtar, përkthyes, ekonomist. Mitrush Kuteli, pseudonim i Dhimitër Paskos, u lind në Pogradec, më 13 shtator 1907. Shkollën fillore e kreu në qytetin e lindjes, më 1919. Po këtë vit, në kalendarin «Pogradeci», botoi vjershat e tij të para: «Mëmës Shqipëri» dhe «Skënderbeu». Më 1921 filloi Shkollën Tregtare Rumune në Selanik. Nga viti 1924 kish filluar të botonte te «Shqipëria e Re» dhe «Kosova» që dilnin në Kostancë të Rumanisë. Më 1928, filloi studimet në Akademinë e Shkencave të Larta Ekonomike në Bukuresht (1928). Në vitet 1928-1933 drejtoi gazetën «Shqipëria e Re» në Kostancë, në faqet e së cilës hapi më 1929 rubrikën «Shënime Letrare». Me pseudonime të ndryshme botoi artikuj mbi çështjen e Bjeshkës së Velipojës, të Vermoshit dhe mbi manastirin e Shën Naumit. U diplomua më 1931 dhe në shkurt 1934 mori doktoratën në shkencat bankare dhe monetare me vlerësimin më të lartë «Diplomam Magnam cum Laudæ». Në janar 1945 u emërua drejtor në Drejtorinë Qendrore të Bankës së Shtetit Shqiptar, por në gusht 1946 u detyrua të jepte dorëheqje, sepse ishte kundër marrëveshjes së qeverisë shqiptare me përfaqësuesit e Beogradit për kursin e këmbimit mes lekut dhe dinarit jugosllav. U arrestua më 16 maj 1947 për «agjitacion e propagandë» dhe u dënua me pesë vjet burg. U lirua me falje në maj 1949, pra pas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë. Punoi si përkthyes në shtëpinë botuese shtetërore «Naim Frashëri». Vdiq në Tiranë, më 4 maj të vitit 1967. Vepra letrare: «Net shqiptare» (1938); «Ago Jakupi e të tjera rrëfime» (1943); «Sulm e lotë» (1943); «Shënime letrare» (1944); «Havadan më havadan» (1944); «Kapllan Aga i Shaban Shpatës. Rrëfime – Rrëfenja» (1944); «Këngë e britma nga qyteti i djegur» (1944); «Dashuria e barbarit Artan për të bukurën Galatea» (1946); «Pylli i gështenjave» (1958); «Xinxifilua» (1962); «Tregime të moçme shqiptare» (1965); «Tregime të zgjedhura» (1972); «Baltë nga kjo tokë» (1973); «Në një cep të Ilirisë së poshtme» (1983); «E madhe është gjëma e mëkatit» (1993) etj. Botime skonomike: «Tri problema në lidhje me Bankën Kombëtare» (1932); «Ditar i ekonomistit Mitrush Kuteli (Dr. Pas)» etj. Përkthime: Ivan Turgeniev, «Kujtimet e një gjahtari»; Nikollaj Gogol, «Tregimet e Petërburgut»; Nikollaj Gogol, «Frymë të vdekura»; Mikhail Saltykov-Shchedrin, «Zotërinj Gollovlinovë»; «Përralla të zgjedhura» (1988) etj.
Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI IV
● Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit