(Person i dënuar nga regjimi komunist)
Klerik katolik. Lindi më 22 shtator të vitit 1907, në Kaluer të Dibrit. Në vitin 1920 u regjistrua në kolegjin papnor të Shkodrës. Studimet e larta i kreu në Xhenova të Italisë, ku dhe u shugurua meshtar më 1936. Pas kthimit në atdhe, për një vit shërben si kapelan në Orosh, pastaj si ndihmës i Dom Zef Skanajt në Fan, deri në marsin e vitit 1938, kur u emërua famullitar i Domgjonit. Pas vdekjes së Dom Zef Skanës, më 1943 u transferua famullitar në kishën e Shën Markut, në Fan. U arrestua më 17 mars 1947 për mosdeklarim bereqeti dhe, më 12 korrik të po atij viti, u dërgua në burgun ordiner të Shkodrës, pastaj në kampin e Maliqit, në burgun e Tiranës dhe sërish në burgun ordiner të Shkodrës. Pas lirimit, më 1948 shërbeu sërish si famullitar në Fan. Është një nga firmëtarët e Statutit të Kishës Katolike Shqiptare (1951). Më 1967 u dëbua nga famullia e tij. Vdiq aty nga viti 1975. Dr. Pjetër Pepa, Tragjedia dhe lavdia e klerit katolik në Shqipëri, “55”, Tiranë, 2007, Vol. I, II, f. 753-754.
Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI V
● Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit