(Person i dënuar nga regjimi komunist)
Nacionalist, ushtarak. Lindi më 2 shkurt të vitit 1911, në Krujë. Ishte djali i pestë i Haxhi Faj Merlikës. Shkollën qytetëse e kreu në Krujë. Më 1927 filloi të mesmen në Itali. Prej këtu u vendos në Zarë të Dalmacisë. Tre vite te shkollës i kreu në Zarë, kurse vitin e katërt në Trieste, kursin njëvjeçar për motorist avionësh. Fitoi dhe patentën e tretë për avionë gjuajtës luftarakë. Që këtu shkoi në Ankona, dhe studioi në Institutin e Fermos, shkollën industriale (1930-1936). Më 1937 u kthye në Shqipëri. Me ndërhyrjen e Abaz Kupit [shih], kreu shkollën e plotësimit të oficerëve në Tiranë dhe, pas mbarimit të ushtrisë, u emërua në Kuçovë, si administrator teknik i puseve të naftës. Pas pushtimit italian, u largua nga Kuçova. Me propozim të kryetarit të bashkisë së Krujës, Qamil Belegut, u emërua sekretar i bashkisë, detyrë të cilën e kreu deri më 1944. Në shtator të po këtij viti u bashkua me forcat vullnetare nacionaliste të komanduara nga Abaz Kupi, deri në largimin e tij nga Shqipëria. Vazhdoi luftën e rezistencës kundër forcave komuniste deri më 3 nëntor 1949, kur u arrestua në Hamallaj të Durrësit nga forcat qeveritare, i prerë në besë nga strehuesi i tij Dung Tufa, që i hodhi helm në ushqim. U arrestua, pra, në gjendje gjysmë të vdekur. U shtrua fshehtas në spitalin e Durrësit. Me vendim nr. 370, datë 9 shtator 1950, Gjykata Ushtarake e Tiranës e deklaroi fajtor për «krime kundër popullit dhe shtetit» dhe e dënoi me vdekje, me pushkatim, konfiskimin e pasurisë së luajtshme e të paluajtshme dhe humbjen e të drejtave civile-politike. U ekzekutua më 5 janar të vitit 1951. F. 5, Viti 2016, D. 54, f. 94-95.
Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI V
● Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit