NEPRAVISHTA Abedin
(Person i dënuar nga regjimi komunist)

Nëpunës, prefekt, kryetar i Bashkisë së Tiranës (1933-1935 dhe 1937-1939). Lindi më 3 shtator 1898, në Kuç, në një familje libohovite, që qe vendosur aty ngaqë i ati ishte nënprefekt i Kurveleshit. Studimet i kreu në Shkollën Civile të Administratës Mbretërore «Mülkiye-i-Sehahané» në Stamboll (1908-1912). Në vitet 1912- 1914 punoi si nënprefekt në Përmet dhe Lushnje. Është një nga nismëtarët e Komisionit për mbajtjen e Kongresit të Lushnjës dhe përgjegjës i sigurimit të brendshëm të tij. Më 1920, kryeministri i Shqipërisë, Sulejman Delvina, e emëroi prefekt i Tiranës. Me nisjen e punës për hapjen e gjimnazit të shtetit, Nepravishta u largua nga posti i prefektit të Tiranës, për të punuar në po këtë post në Elbasan, Durrës, Shkodër e, më pas, në Korçë e Vlorë. Gjatë kësaj kohe, për dy vjet punoi si drejtor i Bankës Kombëtare dhe më 1933 u emërua në postin e kryetarit të bashkisë së Tiranës. Si kryetar i kësj bashkie, ai i dha kryeqytetit të parin plan urbanistik, të projektuar nga arkitekti italian Armando Brasini. Pas pushtimit italian të vendit, u internuar në Itali si antifashist. Me marrjen e pushtetit nga komunistët, u arrestua dhe u dënua me 20 vjet burg. Vdiq në internim, në Fier, më 1975. Eugjen Merlika, Mustafa Kruja në historinë shqiptare, OMSCA-1, 2012; Ndriçim Kulla, Abedin Nepravishta, themeluesi i Tiranës moderne, në «Mapo», 14 prill 2017; F. 1, Viti 2017, D. 98, f. 455-456.

Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI VI
Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit

[cite]