PESHKËPIA Manush
(Person i dënuar nga regjimi komunist)

Financier, poet, publicist, anëtar i Ballit Kombëtar, delegat i Ballit Kombëtar në Kuvendin e Mukjes. Lindi në vitin 1910, në Vlorë. Punoi si financier në Bankën Kombëtare. Pas pushtimit italian të Shqipërisë, bashkë me të vëllain, Nexhat Peshkëpinë [shih], u transferua në Elbasan. Gjatë luftës qe redaktori kryesor i gazetës «Flamuri». Më 1944 drejtoi emisionin letrar të Radio Tiranës. U arrestua më 1945 dhe, më 13 prill të po atij viti, Gjykata Speciale e Tiranës e dënoi me 5 vjet burg dhe punë të detyruar si «armik të popullit». U lirua pas katër vjetësh. U arrestua sërish më 20 shkurt të vitit 1951, për incidentin e bombës në Ambasadën Sovjetike dhe, pas një jave torturash, duke u gdhirë 27 shkurti, u pushkatua pa gjyq së bashku me 21 intelektualë të tjerë të pafajshëm, që i hodhën në një gropë të përbashkët pranë Urës së Beshirit, në fshatin Mënik të Tiranës. Poezitë e tij janë të shpërndarë nëpër revista të ndryshme të viteve ’30- të dhe, sidomos te «Përpjekja Shqiptare». Është përfshirë edhe në «Antologjinë e letërsisë shqipe» (Albanishes Lesebuch), të botuar në Lajpcig më 1948, nga albanologu gjerman Maksimilian Lambertz. Është nderuar me titullin «Nderi i Kombit» nga Presidenti i Republikës. Gëzim Peshkëpia, O njeri…!, Tiranë 2009; Uran Butka, Bombë në Ambasadën Sovjetike, «ASD», Tiranë 2008, f. 163-166; Arshi Pipa, Komunizmi dhe shkrimtarët shqiptarë, në «Shqiptari i lirë», 31 mars 1959.

Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI VI
Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit

[cite]