PESHKËPIA Nexhat
(Person i dënuar nga regjimi komunist)

Mësues, publicist, botues, anëtar i Nënkomitetit të Shtypit të Ballit Kombëtar, delegat i Ballit Kombëtar në Kuvendin e Mukjes. Lindi më 15 mars të vitit 1908, në Vlorë. Mësimet e para i mori në shkollën fillore italiane të qytetit të lindjes, duke ndjekur njëkohësisht edhe mësimin e shqipes, që jepej, pas 1915-s, në një godinë të veçantë në lagjen Muradije. Pas mbarimit të fillores, ndoqi Institutin Briganti në Leçe. Studimet e larta i kreu në Belgjikë. Pas kthimit në atdhe, dha lëndët e matematikës dhe të fizikës në Shkollën Teknike në Tiranë. Më vonë u transferua në Liceun e Tiranës. Pas pushtimit italian në Shqipërisë, iu bashkua rezistencës. Është një nga organizatorët e Ballit Kombëtar. Bashkë me të vëllain, Manush Peshkëpinë [shih], u transferua në Elbasan. Pas marrjes së pushtetit nga komunistët, në fund të vitit 1944 u arratis në Itali. Më 1953 u bë anëtar i Komitetit Kombëtar Shqipëria e Lirë në Romë, ku editoi organin e këtij Komiteti, gazetën «Shqiptari i lirë». Më vonë u transferua në New York. Vdiq më 8 shkurt të vitit 1970, në Dearbon, Michigan. Vepra: Fan Noli si poet dhe si poetpërkthyes («Vatra», 1966), Një Zemër në mërgim (New York, 1967), Një Zemër në mërgim («Përpjekja», Tiranë). Nexhat Peshkëpia, Një Zemër në mërgim, «Përpjekja», Tiranë.

Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI VI
Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit

[cite]